Lideri i partisë opozitare Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj e konsideron krizën politike ku është zhytur Kosova më të thellën që nga paslufta.
Duke folur në Kuvendin e parë zgjedhor të forumit rinor të Nismës, kryetari Limaj deklaroi se ky është vendi që qeveriset nga mashtrues e shkelës të Kushtetutës.
“Vendi ynë është në krizë të thellë politike dhe asnjëherë nuk ka qenë më keq sesa tani që pasluftës. Është i vetmi vend në botë e rajon që qeveriset nga njerëz që kanë shkelur Kushtetuesen e që nuk japin llogari. Gjithashtu, Kosova vazhdon të qeveriset nga njerëz mashtrues, të cilët kanë premtuar 200 mijë vende pune”, deklaroi Limaj.
Ndërsa kryetari i Këshillit Kombëtar të kësaj partie, Jakup Krasniqi tha se Nisma për Kosovën dëshiron që të rinjtë ta marrin në duart e tyre ndryshim e vendit.
Nisma u themelua në shkurt të vitit 2014 nga Limaj, ish-ministër i Transporteve, dhe Krasniqi, ish-kryetari i Kuvendit, sapo ishin larguar nga Partia Demokratike të Kosovës.
Pak muaj pas krijimit, Nisma kaloi pragun zgjedhor në zgjedhjet parlamentare dhe me 6 deputetët e saj u rreshtua shumë shpejt përkrah partive opozitare, Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Të gjitha këto, së bashku me Lidhjen Demokratike të Kosovës formuan bllokuan opozitar “VLAN”, me synimin që të pengonin formimin e një qeverie nga Partia Demokratike e Kosovës.
Top Channel