Al Bagdadi para ISIS, ish-gruaja: Ishte një baba i mrekullueshëm

01/04/2016 16:20

“U martova me një njeri normal, një lektor universiteti. Ishte shumë familjar në fillim”. Kështu e nis rrëfimin e saj për degën e CNN-it në Suedi, “Expressen Tv”, Saja al-Dulaimi, ish-bashkëshortja e njeriut më të kërkuar të botës, liderit të ISIS-it Abu Bakhr al Baghdadi.

“Unë nuk kam njohur njeriun që shihni ju sot”, thotë 28-vjeçarja në intervistën e parë televizive që prej lirimit nga një burg i Libanit vitin që shkoi. Saja nuk ka qenë gruaja e vetme dhe bashkëshortin e saj e ndante me një tjetër.

“Ai që kisha unë përballë asokohe nuk ishte terroristi i etur për gjak që njihni të gjithë. Ishte i mrekullueshëm me fëmijët. Ka qenë mësues, në fund të fundit. Dinte të merrej me fëmijët më mirë sesa me nënën”, tregon ajo.

Por kur vinte fjala tek komunikimi në çift, ai ishte minimal. Abu kishte një personalitet misterioz, shprehet Dulaimi, që e pati të vështirë jetesën në krah të tij si nusja e dytë. Martesa e tyre mori fund 7 vjet më parë.

“U largova sepse nuk isha e lumtur. Nuk i thashë që prisja një fëmijë, vajzën e tij, por më vonë ai e zbuloi dhe tani thotë se do ta rimarrë”, rrëfen 28-vjeçarja, që thekson se dëshiron të qëndrojë në Perëndim.

“Jetoj me frikë, i druhem gjithëkujt dhe çdo gjëje, por më shumë më shqetëson ime bijë”, vijon Saja al Dulaimi.

Mbi shpatullat e saj rëndon e gjithë fatkeqësia e kësaj bote. Ç’faj ka fëmija në fund të fundit, pyet ajo, nëse nëna e tij ka qenë e martuar me Abu Bakhr al Baghdadin, një terrorist…

Top Channel