Në kërkim të takimit, Basha në “Top Story”: Leskaj dhe Suli, parakusht

31/03/2016 00:00

Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për deputetët socialistë, Valentina leskaj dhe Rakip Suli, janë parakusht për dialog mes opozitës dhe mazhorancës. Në “Top Story”, kreu i Partisë Demokratike ju përgjigj publikisht kërkesës së kryeministrit për dialog.

Lulzim Basha: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një parakusht që kjo ftesë të konsiderohet e vërtetë.

Sokol Balla: Pra, nëse çështje “Suli”, çështje “Leskaj” nuk shkojnë në Gjykatë Kushtetuese, nuk ka dialog, nuk ka tryezë?

Lulzim Basha: Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është një domosdoshmëri. A ka dialog me pistoletë mbi tavolinë? A ka dialog kur Republika thotë zbato vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ky thotë nuk dua? E ka zgjedhur ky të tillë. Kjo është një situatë e prezantuar në mënyrë të përsëritur.

Basha deklaroi se pa reformë kushtetuese nuk ka reforme në drejtësi. Për zotin Basha të dyja reformat duhet të ecin paralel.

“Reforma kushtetuese është më e rëndësishme se kurrë. Nuk ka njeri që t’i thotë shqiptarëve se pa u bërë reforma në drejtësi nuk mund të bëhet dot reforma zgjedhore dhe kushtetuese. Këto janë procese që duhet të ecin paralel dhe sot kjo është më e qartë se kurrë, në mënyrë që ajo që bie dakord me drejtësinë do të zbatohet”, tha Basha në “Top Story”.

***

Intervista e plotë

Sokol Balla: Le të flasim për letrën me të cilën i jeni përgjigjur zotit Rama. Është një përgjigje pozitive ndaj dialogut?

Lulzim Basha: Në fakt është letra e zotit Rama që është një përgjigje ndaj kërkesës sime për të nxjerrë vendin nga kriza politike dhe hapat që duhen ndërmarrë. Kemi humbur dy vite kohë që nga hera e parë që e kam bërë këtë kërkesë. Ka qenë qëllimi im për të bërë një politikë të re, ku kundërshtari politik mbetet, por dialogu politik ekziston pa zig zage, pa prekur shtyllat e parlamentarizmit dhe institucioneve të pavarura në vend, që do të thotë proces i menaxhuar për qytetarët dhe i kontrolluar nga qytetarët. Nga ajo ditë kemi pasur përdorim të pushtetit politik për një revansh kundër kushtetutës dhe shtetit ligjor, që e ka sjellë Shqipërinë në gjendjen ku jemi sot, kur çdo ditë del një lajm edhe më i zi. Kemi humbur 2 vite kohë dhe kjo ka patur një faturë jo për mua, por për qytetarët shqiptarë. Dialogu është dhe mbetet një vegël e patjetërsueshme, ndaj më mirë vonë se sa kurrë. Dialogu që kam propozuar unë nuk është fasadë, por dialog që të trajtojë problemet që hasin shqiptarët: varfërinë, krimin dhe korrupsionin, themelet e të cilëve gjenden në shkeljen e kushtetutës, të rregullave të shtetit ligjor dhe abuzimit me pushtetin. Pikërisht sepse janë shkelur garancitë kushtetutese. Dhe këtu kemi shumë probleme për të zgjidhur, dekriminalizimin, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, pasi qeveria nuk mund t’i blejë votat ose t’i fitojë përmes kontigjentit kriminal, kemi reformën në drejtësi, që duhet t’i garantojë qytetarët shqiptarë se sistemi gjyqësor do të vendosë drejtësi për çështjet e tyre. Për zgjidhjen e këtyre problemeve ishte dhe kërkesa e opozitës. Kërkesa e Ramës është një përgjigje ndaj saj.

Sokol Balla: Por, më mirë vonë se kurrë

Lulzim Basha: Problemi i vetëm i letrës së zotit Rama, që shpresoj të ketë qenë një lapsus…

Sokol Balla: Për emrin

Lulzim Basha: Jo. Zoti Rama propozonte një dialog pa ndërkombëtarët për të mbajtur një dialog që të mos merremi vesh. Shqiptarët nuk kanë nevojë për këtë, që ne t’u themi ja ku jemi, por nuk merremi vesh. Kjo është shpërdorim i dialogut sepse delegjitimon një pjesë të avancimit të shoqërisë. Uroj që kjo të jetë një lapsus. Po të mos ishte lapsus do të ishte një tendencë e zotit Rama që nuk do t’u shërbente qytetarëve.

Sokol Balla: Duket se ju nuk keni lapsus në letrën tuaj, ku pas reformës në drejtësi i referoheni çështjeve të tjera, si ndryshimet kushtetuese, çfarë doni të thoni me këtë?

Lulzim Basha: Do të thotë që pushtetet e dhëna me kushtetutë nga sovrani nuk po ushtrohen ashtu siç duhet. Pushteti ka zaptuar Gjykatën Kushtetuese dhe nuk po përfill vendimet e saj. Kemi një vullnet të mbrapsht politik. Vendimet e Kushtetueses nuk janë diskutuar. Opozita “dy dele ka për të ruajtur”, Kushtetutën dhe shtetin ligjor dhe këtë duhet ta bëjë duke treguar vjedhjen e votave në Korçë, që u tregua nga Top Channel, vjedhja nga serveri i tatimeve dhe shkarkimeve të paligjshme në administratë, duke sjellë persona të inkriminuar. Për këto ne kërkuam komisione parlamentare dhe kushtetuta shprehet qartë për këtë. Por për të mbuluar këto skandale të mëdha, Edi Rama urdhëroi mazhorancën që të votonte kundër, duke e rrëzuar. Gjykata tha se ishte një vendim antikushtetues i mazhorancës, të cilës ne i kërkuam të kthehej në binarët e Kushtetutës, por u refuzua. U desh të vinin zyrtarët europianë në Shqipëri që të arrihej marrëveshja e 24 dhjetorit. Mazhoranca e vuri veten në pozitën e një kaçaku i kapur me plaçkë në dorë dhe që duhet të vinin Uashingtoni dhe Brukseli, që të thoshin zbato Kushtetutën. Veç kësaj janë dhe mandatet e 2 deputetëve.

Sokol Balla: Zonja Leskaj e çoi mandatin e saj në Kushtetuese

Lulzim Basha: Kjo nuk varet nga zonja Leskaj. Të gjitha krizat këtu i bashkon një parim, që Rama e sheh veten mbi Kushtetutën. Edi Rama e ka vënë veten e tij dy herë mbi parimet e Kushtetutës, që janë të shenjta. Pse është e rëndësishme për shoqërinë tonë…

Sokol Balla: për mua Kushtetuesja ka funksionuar gjithmonë shumë mirë. Ju e çoni çështjen, ajo merr vendimin

Lulzim Basha: Por nuk zbatohet. Është në kushtet e një krimi kushtetues. Republika është e rënë. Kushtetuta është trau i shoqërisë demokratike.

Sokol Balla: Pa harruar që vendimet e Kushtetueses janë interpretime dhe ajo mund të lërë shtigje për interpretime. Zoti Rama e interpreton sipas tij vendimin.

Lulzim Basha: Jo, asnjëherë. E ke gabim. Nuk bëhet kështu sepse në këtë mënyrë mazhoranca mund ta zvarrisë vendimin interpretim pas interpretimi për 4 vjet sa ka mandatin. Zvarritjet vijnë pasi ata nuk dinë të dalin nga bataku ku kanë futur veten e tyre. Koço Kokëdhima ka bërë 350 transferta financiare, Rakip Suli mbledh qeratë e ndërtesave, djali i Leskaj merr një të tretën e hekurudhës. Kushtetuta dhe ligji flasin qartë për këtë.

Sokol Balla: Atëherë sot në prokurori duhet të ishin tre veta. Të tre e kanë fituar gjyqin në Gjykatën Kushtetuese.

Lulzim Basha: Nuk është e njëjta gjë. Parlamenti është i paligjshëm, sepse nuk po bën atë që i kërkon populli, por mbron deputetët e saj. ne kërkuam zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese si në 2014 dhe tani dhe në të dyja rastet Rama ka refuzuar vendimet.

Sokol Balla: Në 2009 mazhoranca rrëzoi kërkesën e opozitës për të hetuar procesin zgjedhor

Lulzim Basha: Më vjen shumë keq. Kushtetuta, Kodi Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor dhe Gjykata Kushtetuese u shprehën qartë, që nuk ke të drejtë të bësh diçka që të ndalon ligji dhe vendimi i gjykatës, të pranuara këto nga vetë zoti Rama. ligjet po shkelen ditën për diell, natën për hënë nga ata që janë betuar para shqiptarëve për të mbrojtur ligjin. Prandaj Shqipëria numëron sot 300 mijë të larguar, ekonomi në reçesion dhe një pushtet që bashkëqeveris me krimin.

Sokol Balla: Keni pak faktorin apokaliptik këtu

Lulzim Basha: Le të pyesim në sallë se kush ishte më mirë se vjet, se kush ka gjetur vende pune, se kush paguan taksa më pak, apo faturat më të ulëta. T’i pyesim dhe të shohim, jam i bindur se do thonë të vërtetën. Opozita nuk fërkon duart nga kjo situatë.

Sokol Balla: Ta mbyllim pak çështjen e dialogut me zotin Rama. ju thoni, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dekriminalizimin, reformën në drejtësi

Lulzim Basha: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është parakusht…

Sokol Balla: Pra, nëse Suli dhe Leskaj nuk shkojnë në gjykatë nuk ka

Lulzim Basha: Është një parakusht. Ne mund të diskutojmë për të gjitha reformat, por nuk mund të diskutojmë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Sokol Balla: Atëherë zoti Suli dhe zonja Leskaj mbajnë peng reformën

Lulzim Basha: Jo, kjo është interpretimi që ofron zoti Rama.

Sokol Balla: Ju te një paragraf tjetër flisni për reformën në drejtësi, zgjedhore dhe probleme të tjera, mes të cilave reformën kushtetuese. Është reforma në drejtësi, që është tek kilometri i fundit, dhe ju flisni për reformën kushtetuese. Kur e radhisni këtë thoni që të zhvillohen paralelisht, apo që të mbarrojë njëherë njëra dhe pastaj tjetra?

Lulzim Basha: Reforma në drejtësi është në vetëvete reformë kushtetuese. Çfarë provon aktualiteti politik, që ne jemi edhe në krizë kushtetuese, sepse Parlamenti refuzon të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe jo për hiç gjë, por për akuza korrupsioni ndaj deputetëve. Nëse palët ulen në dialog nuk mund t’u shpjegohet qytetarëve se si në të nuk diskutohet kriza kushtetuese. Nëse nesër ne biem dakord për reformën në drejtësi dhe kjo mazhorancë i hedh në koshin e mbeturinave dhe refuzon t’i zbatojë… motivi ynë është të kemi një demokraci të re ku kontrollin ta kenë qytetarët, ku institucionet i zgjedhin qytetarët, që të kenë fuqi të plotë mbi ekzekutivin, legjislativin dhe gjyqësorin. Rishikimi kushtetues nuk mund të bëhet pa reformën në drejtësi, ato duhet të ecin paralelisht.

Sokol Balla: Dikush mund të thotë se ju kështu po vononi reformën… Ishin në Uashington, shpallët një marrëveshje, erdhët në Tiranë, palët u ulën, 90 për qind e çështjeve u zgjidhën dhe u tha që do të takoheshit këtë të martë. Por të hënën ndodhi çfarë ndodhi dhe tani thoni, të lëmë reformën në drejtësi dhe të bëjmë këtë. Le të bëhet reforma në drejtësi dhe më pas ajo kushtetuese.

Lulzim Basha: Nuk ka njeri të pranojë të ulet në tryezë me njeriun që ka vënë koburren në tavolinë…

Sokol Balla: Ai në tavolinë, ju në brez

Lulzim Basha: Në brez e mban Armando Prenga.

Sokol Balla: Mos më thoni që dhe ju besoni se ishte këllëf

Lulzim Basha: Unë të tregoj ujkun, ti thua ku janë gjurmët. Nuk i vë veshin fotoshopeve. Ne duam që refuzimi i zbatimit të Gjykatës Kushtetuese të mos ndodhë më. Kjo është pjesë e marrëveshjes së 24 dhjetorit, të cilën ai po e shkel. Rama nuk do ta bëjë një reformë të tillë sepse do të vazhdojë të shkelë Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ç’kuptim ka të bëhen rregulla të reja loje kur ky nuk zbaton ato ekzistuese. Ne duhet të krijojmë garanci tek qytetarët që çdo ligj që miratohet zbatohet. Prandaj zbatimi i reformës në drejtësi dhe i ligjeve që do të miratojmë bën më të nevojshme se kurrë reformimin kushtetues.

Sokol Balla: Para reformës në drejtësi, zoti Basha?

Lulzim Basha: Bashkarisht. Duhet të ecin paralel.

Në pjesën e dytë të intervistës me kreun e opozitës, Lulzim Basha, është folur kryesisht për afatet kohore të përcaktuara prej komisionerit të Zgjerimit, Johannes Hahn, mbi reformën në Drejtësi; për projektin e këndit të lojërave te Parku i Liqenit si dhe kohën e kreut të opozitës si kryebashkiak i Tiranës; si dhe shfaqja e deputetit të PD-së Strazimiri me armë, në protestën ku pati edhe përplasje mes policisë dhe protestuesve dhe deputetëve të pranishëm.

Sokol Balla: Hahn u duk sikur dha një shkëndijë ekstra për këtë dialog, por nga shpjegimi juaj që i bëni cështjes paralele të reformës Kushtetuese dhe asaj në Drejtësi, janë sfiduese me afatet e vendosura nga komisioneri për Zgjerim, në mënyrë që të kemi hapjen e negociatave për anëtarësim. A e rrezikon këtë që tha zoti Hahn, që përpara verës të kemi një vendim? Kjo reformë e plotë kushtetuese, a mund të vërë në rrezik afatet e asaj që është rënë dakord, reformës në Drejtësi?

Lulzim Basha: Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të ecim edhe me reformën në Drejtësi. Më lejoni të flas për pjesën e opozitës, kemi dy vite që i kërkojmë shumicës konsensus për këtë reformë. Reforma në Drejtësi me dokumente zyrtare ka qenë prioritet i qeverisjes së kaluar, sepse Rama refuzoi të bashkëpunonte, siç refuzoi për ligjin e punonjësit civil, dhe dy ligjeve të tjera.

Sokol Balla: Le ta nisim me ato që ka nisur opozita.

Lulzim Basha: Vetingu i gjyqtarëve është nisur nga opozita. Ne e kemi dashur reformën në drejtësi dhe e duam dyfish sot, sepse në mungesë të një drejtësie që nuk varet nga qeveria jemi në mes të këtyre havarave. Po të funksiononte gjyqësori, Prenga dhe Ndoka do të merrnin përgjigjen e duhur, vjedhjet e korrupsioni në dogana dhe në OSHEE do të ishin më të minimizuara, për të mos thënë të zhdukura fare. Ata paralizojnë gjyqësorin vetëm me një telefonatë të Ramës. Nuk ka palë më të gatshme sesa ne që të kemi një drejtësi të pavarur, një Prokurori jashtë ndikimit politik. Të dyja janë nën thundrat e Edi Ramës. Këtë e kanë theksuar edhe Komisioni i Venecias, për të shmangur kapjen politike të drejtësisë. PD ka qenë dhe është më e interesuara për këtë reformë në drejtësi. U desh që unë të shkoja në Uashington, që ky të hapte dialogun politik, por menjëherë e çimentoi dhe e bllokoi. Nuk ka palë politike në botë që ndërkohë që është në tryezën e dialogut politik, pala tjetër të shkelë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Të vetmit që nuk e duan janë Edi Rama dhe Ilir Meta, ata janë para testit nëse e duan apo jo reformën në Drejtësi. Në vetëm një ditë dialog, ne ramë dakord për shumë çështje, përfshi edhe Byronë Kombëtare të Hetimit, dhe kjo sepse unë kam mentalitet demokratik.

Sokol Balla: Dëgjuam zotin Hahn, mendoni se do të respektohen afatet e vendosura?

Lulzim Basha: Unë si qytetar dua dhe besoj që Edi Rama nuk e do dhe nuk e ka guximin t’ua thotë ndërkombëtarëve që nuk e do. Prandaj PD është e angazhuar fuqimisht për të çmontuar alibinë e Edi Ramës, se është opozita që nuk e do këtë reformë. Në këto 6 muaj do të kishim ecur shumë përpara, madje edhe me trajnimin e policisë dhe ekspertëve të tjerë. Po të ishte bërë vitin e kaluar, sot do të kishim hetimet e para të Byrosë.

Sokol Balla: Afatet që pret zoti Hahn dhe Komisioni Europian, a mund të plotësohen?

Lulzim Basha: Janë plotësisht të mundshme, nëse Rama nuk do të përpiqet ta pengojë. Jam këtu t’u them të gjithëve, edhe teleshikuesve, që reforma në Drejtësi do të bëhet. Nuk do të shmanget dot nga interesat e korruptuara dhe kriminale. Reforma do të bëhet.

Sokol Balla: Të flasim për Kushtetutën. Kam një koment nga Kosova: Kur u mor vendimi nga Kushtetuesja për marrëveshjen e detit me Greqinë, pse nuk e zbatuan vendimin e gjykatës?

Lulzim Basha: Marrëveshja e detit u anulua pikërisht prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese, qytetari është i keqinformuar.

Sokol Balla: Pse ky qëndrim kaq refraktar ndaj një projekti të qeverisë që mban përgjegjësi elektorale për Parkun te Liqeni.

Lulzim Basha: Ai projekt ka lënë përshtypje vetëm në selinë e PS-së. Parku nuk ka të bëjë me reformën në Drejtësi, por me sundimin e ligjit. Kjo qeveri, para 4 javësh ka futur në burg qytetarë që lyenin fasadën e shtëpisë, riparime gardhi, apo catie pa leje. Ndërkohë që pa leje, qeveria rrethon një pjesë të mirë të Parkut të Liqenit të Tiranës. Po të hetoni, rrethimi dhe futja e makinerive është bërë kur s’ka pasur absolutisht asnjë dokumentacion. Vetëm pasi janë nisur punimet, është pretenduar se ekzistonte një leje. AI nuk ka as leje mjedisore, sepse Ministria e Mjedisit ka refuzuar të firmosë një leje, edhe pse nuk e di si i kanë punët mes koalicionit. Këta që arrestojnë njerëz të pafajshëm futen në mes të parkut për një tender 700 mijë eurosh. Çështa këtu është që në pabesi totale dhe në kundërshtim me ligjin, në falsifikim të procedurave të KKT-së dhe mungesë të lejes mjedisore, këtu preket interesi qytetar, Parku i Liqenit. Në 11 vite janë reduktuar metrat katrorë që janë dhënë për ndërtime, problem që nuk e ka ngritur vetëm opozita. Sot ka një aleancë qytetare dhe një revoltë ndaj këtij shteti, ku e para që duhet të veprojë është policia, ndaj atyre që shkojnë për të mbrojtur parkun. Një polici që merr përpara gra e fëmijë, si dhe ushtron dhunë ndaj opozitës.

Sokol Balla: Ju vet si kryetar bashkie cfarë keni bërë për të shpëtuar këtë park nga ndërtimet?

Lulzim Basha: Kam vendosur kufirin në Këshillin Kombëtar të Rregullim Territorit, duke e cilësuar parkun si një pjesë të pacënueshme. Kam mbjellë në atë park, si kryebashkiak, me paratë e taksapaguesve dhe donacione italiane, mijëra rrënjë pemë në atë park.

Sokol Balla: Po lejen te diga kush e dha?

Lulzim Basha: Edi Rama dhe Fatos Nano, që aty duhej ndërtuar diçka tjetër. Unë nuk kam lejuar në Tiranë ndërtime mbi koeficentin 3,7. Pavarësisht interesave korruptive të tyre që duan të sheshin pjesë jashtë parkut dhe jashtë liqenit si tokë private, kjo nuk do të thotë që kam prekur ndonjë centimetër katror.

Sokol Balla: Po rrethimi që është bërë përpara Filologjikut në pjesën e hyrjes së Parkut?

Lulzim Basha: Me qëllim që të mos cënohej parku i Liqenit, Lulzim Basha ka qëndruar fort dhe nuk ka lejuar cënimin e interesit publik. Nuk ka pasur leje nga bashkia për atë pjesë të rrethuar, aq më pak leje të firmosur nga unë si kryebashkiak. Për të mbrojtur interesin publik, Basha nuk është përkulur as përpara presionit më joparimor nga persona më me influencë, duke mos e zhvendosur atë as në drejtim të rrugës dhe as në drejtim të parkut.

Sokol Balla: Të shohim një foto, kur Strazimiri është shfaqur me një objekt në brez. Duket mirë si qytë e një arme. Ai nuk është përfshirë në debatin e lindur, por jo më larg se dje ai e ka dorëzuar armën që e mbante pa leje. Ristani, sipas interpretimit të tij thotë që është këllëf celulari.

Lulzim Basha: Ne do t’i përmbahemi ligjit për çdo rast. Në qoftë se Strazimiri ka pasur një armë me leje dhe është kërcënuar nga njerëz të dënuar për rrëmbim personi, për trafik prostitucioni, dhe leja ka skaduar e ai e ka dorëzuar sapo e ka marrë vesh, kjo do të thotë që duam të respektojmë ligjin. Kjo është vetëm sa për të humbur gjurmët dhe vëmendjen. Mbulimi i kësaj ngjarjeje nga mediat është një gjë, por duhet të ishte edhe më e rëndësishme të mbulohej ngjarja e ndodhur në ambientet e Parlamentit dhe personat kanë dalë të paprekur nga drejtësia. Edhe pse njëri prej tyre ka plagosur disa qytetarë, e që rikthehet në Parlament për të votuar një ligj të rëndësishëm. Mediat, që janë në vdekje klinike për shkak të presionit qeveritar, nuk raportojnë protestën dhe çadrat e qytetarëve të shoqërisë civile.

Sokol Balla: Kjo nuk është e vërtetë, sepse Top Channel ka shkuar një ditë më pas dhe ka parë çfarë po ndodh. Aty ka çadra të shoqërisë civile, ka edhe njerëz që punojnë. Ndërsa shoë juaj përfundoi vetëm me një ditë.

Lulzim Basha: Jo, për ne është në qendër interesi publik dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.

Sokol Balla: Qëndrimi juaj ndaj ligjit të dekriminalizimit… Taulant Balla ju ka akuzuar se nuk po zbatoni ligjin që e votuat të gjithë bashkë me konsensus.

Lulzim Basha: Çfarë nderi të akuzohesh në këtë mënyrë nga Balla, sepse ai është akuzuar disa herë dhe dënuar edhe me vendim gjykate për shpifje. Sa i përket dekriminalizimit, një tjetër nismë me sukses e opozitës, themi sërish se nuk po zbatohet tërësisht sepse gjithçka e kanë në dorë këta. Po vonojnë zbatimin e plotë të këtij ligji. Qëllimi final është që përmes një Shqipërie të çliruar nga krimi e korrupsioni, të kthejmë shpresën dhe mirëqenien ekonomike në vend. Të humbasësh kohë me brroçkullat e Ballës, Veliajt dhe të tjerëve, është diçka e kotë.

Sokol Balla: Edhe ata janë të zgjedhur…

Lulzim Basha: Po, ata janë zgjedhur në 2013-n dhe 2015-n, sot jemi në 2016-n dhe irritimi popullor është shtuar ndjeshëm. Ndërkohë që ne si opozitë jemi të gatshëm të ofrojmë alternativën e duhur për qytetarët. Megjithatë, mes të tjerave kemi denoncuar edhe vilat e ndërtuesit të sarajeve të kryeministrit, sërish në një park.

Sokol Balla: Kemi edhe një reagim të Shteteve të Bashkuara, të bërë publik përmes Ambasadës amerikane në Tiranë, për refuzimin e vizave ndaj disa gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar.

Lulzim Basha: Refuzimi i vizave nga SHBA për funksionarët e lartë është një taktikë e hershme e Amerikës për vendet që janë mes korrupsionit dhe krimit. Kjo gjë është sinjal që vendi të bëjë ç’të mundet për të shpëtuar nga ky ambient dhe të luftojë për të mos lundruar më në të tilla rrethana.

Pjesa e tretë e emisionit “Top Story” ka patur në fokus programin e Partisë Demokratike, që siç tha dhe kryetari Basha, prioritet kryesor do të ketë rimëkëmbjen e ekonomisë, përmes një qasjeje të re ndaj biznesit dhe qytetarëve në nevojë.

Sokol Balla: Apokalipsi erdhi, thoni ju, por prej 2 ditësh keni përgatitur programin tuaj.

Lulzim Basha: Nuk them unë që është apokalipsi. Dëshira ime është që shqiptarët të shohin shpresë tek fëmijët e tyre dhe opozita në këto 2 vite e gjysmë është përballur me të keqen, madje e vetme. Dhe kjo pa dyshim ka dhënë shpresë, sepse kur dikush ngrihet për të drejtën dhe kundër së keqes, kjo çon një valë optimizmi tek njerëzit se e nesërmja mund të jetë më mirë. Por kam qenë i ndërgjegjshëm se përveç denoncimit, opozita duhet të bëjë edhe propozime, si amendamentet që i kemi çuar për buxhetin, për lehtësimin e taksave, uljen e faturës së energjisë… Por me pushtetin e saj mazhoranca i hodhi poshtë. Kush do të kishte përfituar nga kjo? Sigurisht që jo opozita, por qytetarët. Rritja e çmimit të energjisë dhe naftës rrënuan qytetarët dhe të ardhurat përfunduan në xhepat e oligarkëve dhe kontrabandistëve të naftës. Pra, ne kishim të drejtë. Nuk u mjaftuam me propozime vetëm në Kuvend, por organizuam edhe protesta qytetare. Vetëm vitin e kaluar, kur ia doli të fuste ekonominë shqiptare në krizë, mori në mënyrë mekanike propozimin tonë për zerimin e taksës së biznesit. Në këndvështrimin e tij të cekët për ekonominë, që as e njeh e as e rrespekton, këtej zeroi taksën për biznesin e vogël, duke u mbështetur pjesërisht tek platforma jonë dhe nga ana tjetër rriti gjobat në stratosferë dhe i merr biznesit taksën e 10 viteve. Kam provuar fillimin e një kulture të re politike, që shpresoj se në të ardhmen nuk do të mbetet tek PD, që opozita jo vetëm të denoncojë por të propozojë. Unë kam qenë në jug e veri dhe qytetarët e dinë që PD qëndron për taksat e ulëta. Uljen e taksave me 9 për qind, uljen e TVSH-së me 15 për qind. Do ta përmirësojmë ekonominë përmes taksave të ulëta, investimeve publike dhe një politike të konsoliduar për arsimin, sepse do ta anulojmë ligjin për arsimin e lartë, do ta bëjmë që në qendër të jetë studenti dhe familja e tij dhe jo pronarët e universiteteve. Pra, shtyllat tona do të jetë nxitja për ekonominë, investimet në infrastrukturë, ujë, rrugë, energji, si dhe për kujdesin social, që kjo qeveri e ka braktisur. Programi ynë parashikon rritje të pagës minimale, mbështetje të familjeve në nevojë dhe grave kryefamiljare. Programi ka qenë gati para 3 muajsh dhe tani kemi kohë që të nisim konsultimin me qytetarët, për të kolauduar vizionin tonë e për t’u thënë: ja sa taksa do të marrim, ja sa është buxheti dhe ja sa do të shpenzojmë. Pra, kthimin e ekonomisë shqiptare në ekonomi kompetitive në Ballkan, duke hapur vende pune jo për kotheren e bukës. T’iu japim shqiptarëve një të ardhme të sigurtë.

Sokol Balla: Meqë thatë se vendi është në krizë, në programin tuaj disa herë iu referuat shifrave zyrtare, që thonë se rritja ekonomike do të jetë 13.4 për qind. Ju sa do ta coni këtë shifër?

Lulzim Basha: Këto shifra janë një mashtrim. Më qartë flasin shifrat e FMN dhe Bankës Botërore, flasin shifrat e emigrimit, mbylljes së bizneseve, 72 mijë njësi, dhe më mirë flasin qytetarët shqiptarë.

Sokol Balla: Zoti Basha, ju thatë se një opozitë jo vetëm kritikon por edhe propozon. Zakonisht politikanët shqiptarë premtojnë, por nuk i mbajnë premtimet. Nesër do të jetë 1 prilli dhe unë po ju tregoj SMS-në e një qytetari për tramin. Pse nuk u bë trami?

Lulzim Basha: Nuk bëhet trami me lekët e bashkisë. Ai shkoi në Francë, takoi Francois Hollande, takoi autoritetet që i dhanë kredinë për tramin, por tha jo sepse ishte projekti i Lulzim Bashës. Mashtrimet janë e sotmja, por nuk do të jenë e nesërmja. Trami do të bëhet, natyrisht duke marrë parasysh qëndrimet e qytetarëve. Unë nuk i harroj premtimet e mia dhe do t’i mbaj siç kam mbajtur premtimet e mëparshme si Rrugën e Kombit, anëtarësimin në NATO, heqjen e vizave. Unë atë që them e bëj dhe atë që bëj e them. Kjo është forca dhe kultura ime, që shpresoj se do të infektojë edhe kundërshtarin politik, të rinjtë e vërtetë socialistë. Lulzim Basha do të jetë në ballë të projektit për Shqipërinë europiane.

Sokol Balla: Këtu do të jemi. Të shohim nëse keni thënë të vërtetën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA