Botërori 2022, “AI” kritikon Katarin për punëtorët

31/03/2016 13:45

“Amnesty International“ kritikon ashpër Komitetin Organizativ të Katarit të Botërorit 2022 në lidhje me trajtimin e punëtorëve emigrantë. Sipas organizatës në mbrojtje të të drejtave të njeriut, abuzimet mbi të gjithë ata persona që po punojnë në rinovimin e stadiumeve të këtij evenimenti, janë të mëdha.

Sipas “Amnesty International“, shumë punëtorë që kanë ardhur nga Nepali dhe India për të rindërtuar stadiumin Kalifa jetojnë në kushte të mjerueshme, ndërkohë që punëdhënësit e tyre u kanë konfiskuar pasaportat. Po kështu, ata i kanë kërcënuar ata për mbajtjen e pagës së tyre dhe për raportim në polici në mënyrë që ata të detyrohen të punojnë.

Trajtimi i keq i punëtorëve në projektin e organizimit të një Kupe Bote ka ngritur pikëpyetje në lidhje me reformat e punës që u premtuan të ndërmerren nga qeveria e Katarit, ndërkohë që vë në presion edhe vetë FIFA-n e cila duhet të sigurojë që ky shtet të vendosë standarde më të mira për punëtorët, përpara se punimet për Botërorin e vitit 2022 të arrijnë kulmin.
 
Raporti i “Amnesty International“ për kushtet e jetesës së punëtorëve emigrantë është përpiluar pas intervistimit të 132 personave si dhe nga vëzhgimet e Komitetit Suprem të Katarit. Sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, Salil Shetti tha për Reuters se Katari nuk është vendi i përshtatshëm për të organizuar një aktivitet si Kampionati Botëror i Futbollit duke parë edhe kushtet aktuale në të cilat po punohet.

Ai i bëri apel FIFA-s që të këmbëngulë më shumë që të ndryshohet mënyra e trajtimit të punëtorëve emigrantë që të rritet edhe cilësia e punës në përgatitjet e Botërorit 2022.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA