BDI braktis qeverinë, zhvillim i papritur në Maqedoni në prag të zgjedhjeve

31/03/2016 00:00

Bashkimi Demokratik për Integrim është larguar nga qeveria e Shkupit. Vendimi është marrë në mbledhjen e kryesisë së partisë shqiptare në Maqedoni. Lajmi u bë publik përmes një njoftimi të shkurtër për shtyp, ndërsa nuk jepen detaje për arsyet që çuan partine e Ali Ahmetit në marrjen e këtij vendimi.

“Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim vendosi sonte që të tërheq të gjithë përfaqësuesit e vet aktual nga pushteti ekzekutiv i Republikës së Maqedonisë. Kryesia gjithashtu ka rikonfirmuar të drejtat statusore dhe ka rideleguar të gjitha kompetencat Ekzekutive dhe vendimmarrëse pranë kryetarit Ali Ahmeti për të vendosur mbi hapat e mëtejeshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim. Bashkimi Demokratik për Integrim gjithashtu njofton opinion e gjerë vendor dhe ndërkombëtar që do të rishqyrton politikat e veta në ditët në vijim”, thuhet në njoftimin e BDI-së.

Maqedonia aktualisht ka një qeveri teknike. Pas dorëheqjes së Nikola Gruevskit, kryeministër është Emil Dimitriev. Vendi prej kohësh është përfshirë nga një krizë e thellë politike.

Zgjedhjet e parakohshme të 24 prillit u shtynë për në 5 qershor, pasi partia më e madhe maqedonase, LSDM, deklaroi se nuk ishin plotësuar kushtet për mbajtjen e tyre.

Ndërkombëtarët kanë ndërmjetësuar gjatë që të bindin liderët e 4 partive kryesore, maqedonase dhe shqiptare për gjetjen e një zgjidhje. Por, ky vendim i papritur i partisë së Ali Ahmetit, për të braktisur qeverinë, pritet të sjellë të tjera zhvillime.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA