Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka mbyllur punën dyvjeçare të Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, që ka rezultuar me nisjen e procesit të aplikimit për njohjen e statusit të viktimës.
“Ne kemi arritur si institucione dhe shoqëri të identifikojmë përgjegjësitë tona, të marrim përsipër detyrimet që kemi ndaj të mbijetuarve, të krijojmë bashkëpunimin e ndërsjellë, të krijojmë infrastrukturën e duhur ligjore, strategjitë e nevojshme dhe vizionin e qartë për t’iu garantuar të mbijetuarve të gjitha të drejtat e tyre”, deklaroi presidentja Atifete Jahjaga.
Për ushtrimin e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ende nuk është dënuar askush për shkak të refuzimit të Serbisë për të bashkëpunuar me Kosovën për çështjet penale, por edhe për shkak të mungesës së denoncimit të rasteve në organet e drejtësisë.
“Ndaj sot është një rast i mirë që t’i ftojmë të gjithë ata ose ato që kanë rënë pre e dhunës seksuale gjatë luftës që të raportojnë për raste të tilla në organt e drejtësisë dhe në këtë drejtim gjyqësori edhe prokuroria do të bënin punën më të madhe që të fitohet besimi i këtyre personave”, deklaroi Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë.
Që nga viti 2014, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës mbrohen me ligj. Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi tha se brenda pak ditësh do të hapet konkursi për anëtarët e komisionit për verifikimin e aplikuesve të dhunuar gjatë luftës.
Edhe pse ende nuk ka statistika zyrtare, besohet se gjatë luftës në Kosovë janë shënuar rreth 20 mijë viktima seksuale dhe përveç grave objekte janë bërë edhe burrat.
Top Channel