“U rrekët të dëshmonit kush e do më shumë liderin”/ Balla-opozitës: Edhe 100 herë të kthehesha mbrapa, të njëjtin kallëzim do bëja për Berishën
Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Johanes Hahn nisi të martën në mbrëmje vizitën e tij treditore në Shqipëri, ku ai do të jetë i pranishëm në dy aktivitete të rëndësishme.
E para, Tryeza e Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-Bashkimi Europian. Kjo është e gjashta herë që ky format, me përfaqësues të maxhorancës, opozitës dhe Bashkimit Europian mblidhet.
Takimi i dytë është Ministeriali i Ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku temë kryesore e diskutimit do të jetë thellimi i bashkëpunimit mes vendeve.
Por veç axhendave të parashikuara që më parë, Komisioneri Hahn vjen në një moment tejet të nxehtë në skenën politike shqiptare. Reforma në drejtësi, e cila është një ndër pesë prioritetet e vendosura nga Bashkimi Europian për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë, ka mbetur pezull.
Por ashtu siç Top Channel njoftoi të hënën, pas përplasjeve të opozitës me policinë për parkun e fëmijëve në kodrat e Liqenit Artifical, duket se kjo reformë po shkon, jo vetëm drejt zvarritjes, por drejt një dështimi të plotë.
I ndodhur përpara faktit që politika shqiptare, siç ndodh shpesh, nuk arrin të gjejë gjuhën e përbashkët pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, Komisioneri Hahn ka parashikuar në axhendën e tij, edhe 4 takime shumë të rëndësishme. I pari me kryeministrin Rama, ai do të dalë dhe në konferencë për shtyp pas përfundimit të punimeve të tryezës së Dialogut të Nivelit të Larte.
E mërkura për Komisionerin Hahn nis me një mëngjes pune me anëtarët e Delegacionit të BE-së në Tiranë për të vijuar më pas me një takim 45 minuta me kreun e opozitës, Lulzim Basha, në zyrën e këtij të fundit.
30 minuta Komisioneri Hahn i ka rezervuar për t’u takuar me kryeparlamentarin Ilir Meta, ndërsa ajo që përforcon më shumë objektivin e vërtetë të vizitës së tij në Tiranë dhe shfaq shqetësimin e Komisionit Europian për situatën në Shqipëri, është takimi prej 45 minutash me Fatmir Xhafajn, kryetarin e Komisionit për Reformën në Drejtësi.
Jashtë çdo dyshimi, qëllimi i kësaj vizite bëhet i qartë nga ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha.
“Do të kemi një diskutim të gjerë në kuadër të pesë prioriteteve, por duke vendosur theksin edhe njëherë tek prioriteti kyç, i cili ka të bëjë me reformën në drejtësi, shtetin e së drejtës dhe zbatimin e ligjit në vend”, thotë Gjosha.
E pyetur nëse tryeza, ku do të jetë i pranishëm dhe Komisioneri për Zgjerimin Johanes Han, mund të shërbejë si një pikë kthese mes palëve për gjetjen e konsensusit, ministrja Gjosha u shpreh optimiste.
“Historia ka treguar që tyreza të tilla kanë shërbyer në të mirë të vendit dhe në të mirë të dialogut politik në vend, gjë e cila nuk duhet të ndodhë kështu, sepse palët shqiptare dhe partitë politike shqiptare duhet të jenë ato që duhet të kenë interesin e tyre për të gjetur një dialog të mundshëm. Unë mendoj se po, do të shërbejë për mirë, por që gjithnjë kjo do të varet dhe nga vullneti i mirë i të gjitha palëve”, thotë ministrja Gjosha.
Top Channel