PD: Shteti burgos të pafajshmit dhe mbron oligarkinë e korrupsionit

28/03/2016 12:45

Duke reaguar pas protestës së radhës kundër këndit të lojrave tek Parku i Liqenit, kryetari i grupit parlamentar të PD Edi Paloka ka deklaruar se, “sot jemi para dëshmisë së një shteti inekzistent, të një shteti pa drejtësi, i cili dënon e burgos të pafajshëm që s’kanë të paguajnë energjinë elektrike, por ndërkohë vë me qindra forca policie në mbrojtje të atyre që shkelin hapur dhe përditë ligjin”.

“Duhet të kenë parasysh të gjithë qytetarët shqiptarë dhe këta policë që janë këtu, detyrimin e kanë përballë Kushtetutës dhe Kushtetuta u thotë qartazi se edhe policia edhe polici më i thjeshtë dhe jo vetëm shefat e tyre duhet të zbatojnë ligjin dhe jo urdhërat e paligjshëm. Përndryshe do të përgjigjen një më një, kokë më kokë për shkeljet e ligjit, atëherë kur ligji të vendoset”, ka deklaruar Paloka.

Ai ka akuzuar kryeministrin Rama se, “urdhëron dhunimin e qytetarëve të thjeshtë dhe mbron me shtet dhe polici oligarkinë kriminale që po drejton sot këtë vend”.

“Ky është vetëm një shembull. E dëgjuat të gjithë kryetarin e bashkisë kur tha se këtu nuk do të hidhet asnjë metër beton dhe se nuk do të pritet asnjë pemë. Shihni sot se ç’po ndodh. Është rrethuar dhe po mbrohet betoni i Edi Ramës. Ky është akti më skandaloz që tregon se si shteti shkel ligjin me vetëdije të plotë dhe dhunon qytetarët e tij të cilët nuk guxojnë as të rregullojnë shtëpinë e tyre, sepse përfundojnë burgjeve. Ndërkohë, që kryeministri i pari, kryetari i Bashkisë i dyti, duhej të ishin sot përpara Prokurorisë për këtë shkelje të rëndë”, tha Paloka.

Denoncimeve i është bashkuar edhe deputeti tjetër i PD, Gent Strazimiri. “Është qartësisht ky tender 700 milionësh që po harxhohet, është prioriteti i vetëm i Policisë së Shtetit dhe kësaj qeverie. Është numër rekord i policëve, në 25 vjet demokraci kjo është policia që godet opozitën, që sillet brutalisht deri sa refuzon të lëvizë ambulancën me njerëz që ndjeheshin keq në protestë për të shkuar në spital”, ka deklaruar Strazimiri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA