Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur të shtunën një mbledhje të jashtëzakonshme dhe ka vendosur që protesta e opozitës e anuluar një ditë më parë të organizohet javën e ardhshme.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se pavarësisht dallimeve me dy subjektet e tjera opozitare, ato i bashkon kundërshtimi i qeverisjes.
“Do të vazhdojmë bashkë, por kemi dallime. Nganjëherë ndoshta dallimet janë parë më shumë, ose më pak. Pra, jemi tri subjekte politike, kemi dallimet tona, por jemi bashkë në kundërshtimin e atyre temave që kanë vënë në rrezik Kosovën”, deklaroi Haradinaj.
Por përveç bashkëpunimit për protestat, tri subjektet opozitare po vazhdojnë të shfaqin dallime dhe të replikojnë në distancë mes tyre.
Deklaratat e Haradinajt se ai nuk hedh gaz lotësjellës dhe se deputetët e AAK-së nuk përleshen me Policinë, shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca i cilësoi si fyerje për deputetët opozitarë. Por Haradinaj sërish iu kundërpërgjigj Vetëvendosjes.
“Unë nuk kam pasur kurrë dëshirë të shtrihem në sallën e Parlamentit dhe të vijë e të më kapë dikush. Në rast se me këtë kam ofenduar dikë, të ofenduarit nuk janë të AAK-së sepse askujt nga kjo parti nuk i ka ndodhur që të vijnë në sallë e ta kapin prej rrobash”, tha Haradinaj.
Vendimin e opozitës për të anuluar protestën e së shtunës e ka komentuar edhe kryeministri Isa Mustafa, i cili ka shkruar në Facebook se vendimi i opozitës nuk flet për pasje apo mospasje të krizës, por flet për arsyet që opozita i vlerëson për të menaxhuar veprimet e saj.
Top Channel