Familjarë dhe përfaqësues të institucioneve kanë përkujtuar këtë të shtunë 17-vjetorin e masakrës në Krushën e Madhe në Rahovec, ku u masakruan 243 civilë shqiptarë, në mesin e tyre fëmijë, gra dhe pleq, ndërsa mbi 60 ende konsiderohen të zhdukur.
Për dështimin e dënimit të kriminelëve serbë për këtë masakër, kryetari i fshatit, Selami Hoti ka bërë përgjegjës institucionet ndërkombëtare të drejtësisë të pranishme në Kosovë.
“Fshati ynë ka mbetur me dëshmi nën krah, sepse drejtësia ndërkombëtare më pas na u bë e dyfishtë. Sepse dëshmitarët tanë u frikësuan nga UNMIKU dhe EULEX-i. Dhe në vend që të dënoheshin kriminelët, ata jo vetëm që u lanë të lirë, por tani edhe marrin poste ministrore, herë në qeverinë tonë e herë në atë të Serbisë”, deklaroi Hoti.
Kryetari i komisionit qeveritar për të pagjeturit, Prenk Gjetaj tha se adresa për të kërkuar personat e zhdukur është vetëm Serbia, ndaj të cilës ai tha se ndërkombëtarët duhet të bëjnë më shumë presion.
17 vjet pas përfundim të luftës në Kosovë, 1666 persona ende evidentohen si të zhdukur. Angazhimin e shtetit për më shumë presion ndaj Serbisë e premtoi edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, që vjen nga kjo komunë.
“Do të bëjmë gjithçka që është e mundur që këta 60 persona që ende nuk janë gjetur, sa më shpejt të kthehen në vendin e tyre, tek familjet e tyre, në mënyrë që të dimë se ku të vendosim lule”, tha ministri Hoti.
Top Channel