Takimi Rama-Meta, Vasili: Për të avancuar reformën në drejtësi

25/03/2016 18:30

Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, në një bashkëbisedim me mediat pasditen e së premtes ka deklaruar se takimi i grupit qeveritar të koordinimit ka patur në fokus ecurinë për reformën në drejtësi.

“Kryesisht vëmendja ishte për të rritur intensitetin e ecjes përpara të reformës në drejtësi. Në sensin e qenies sa më efektiv të komisionit të reformës, sigurisht jo vetëm në një anë, sepse komisioni i reformës është i përbërë nga dy krahët politikë. Për arsye sepse reforma, siç ju e dini, është një kusht kyç në rrugën tonë drejt integrimit evropian dhe patjetër që dhe vizita e ardhshme dhe shumë e rëndësishme e komisionierit Hahn është një moment që na imponon të gjithëve, gjithë spektrit politik, jo vetëm mazhorancës, por dhe opozitës të ecim sa më shpejt dhe të kemi një rezultat të prekshëm në çështjen e reformës në drejtësi, pasi kjo do të ndikonte shumë në ecurinë pozitive të hapjes së negociatave për anëtarësim”, ka deklaruar Vasili.

Ai ka nënvizuar se ky shqetësim detyrimisht do të reflektohet në punën e komisionit të reformës. “Pra, duhen ritme dhe një përgjegjshmëri akoma më e lartë dhe sigurisht një sens mirëkuptimi dhe dialogu. Unë kam theksuar edhe më parë, kjo nuk është çështja e takimit, por një qëndrim i yni, duhet një dialog, një dialog  absolutisht pa paragjykime”, ka thënë Vasili.

Ai ka shtuar se, ky duhet të jetë një dialog ku nuk duhet të ulet me kushte, por nën frymën e opinionitë të Komisionit të Venecias dhe me frymë mirëkuptimi, “sepse besoj se jemi më afër se kurrë”, ka vijuar kreu i grupit të LSI.

Deklarata e Vasilit bie disi ndesh me atë të homologut të tij socialist, Gramoz Ruçi, i cili në fund të mbledhjes tha se, “ takimi ishte sesi të qeverisim më mirë vendin”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA