Nderim special për Johan Cruyff në miqësoren Holandë-Francë

25/03/2016 00:00

Holanda dhe Franca janë duke zhvilluar një ndeshje miqësore mes tyre në “Amsterdam Arena”, ku pas përfundimit të pjesës së parë është Franca ajo që po udhëheq 0-2.

Por, ajo që ra në sy në këtë takim ishte ndalimi i ndeshjes në minutën e 14 dhe kjo ndodhi për të nderuar të madhin Johan Cruyff, i cili u nda nga jeta një ditë më parë. U zgjodh minuta e 14, pasi ishte numri që ai mbante në bluzë me kombëtaren. Për rreth 60 sekonda, i gjithë stadiumi u ngrit në këmbë dhe duartrokiti për herë të fundit një prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Legjenda e futbollit holandez dhe atij botëror, një prej emrave që janë shkruar me germa të arta në historinë e sportit më popullor në planet, u nda nga jeta në moshën 68-vjeçare, si pasojë e një kanceri në mushkëri.

Cruyff ndryshoi futbollin dhe shënjoi një epokë me Holandën dhe Ajaksin dhe në Katalunja emri i tij ngjall ende respekt si një simbol i lojës së bukur.

Me kombëtaren holandeze, Johan Cruyff, luajti për 11 vjet me radhë, me një peng të madh në jetë, finalen e humbur ndaj Gjermanisë Perëndimore në ndeshjen epike të vitit 1974.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA