Fanela që do të përdorë kombëtarja shqiptare e futbollit në “Euro 2016” konsiderohet si një ndër 10 më të pëlqyerat. Kjo pasqyrohet në një sondazh që ka nisur “Sky Sports”, i cili u ka kërkuar tifozëve që të shprehin opinionin e tyre për këtë çështje nëpërmjet votimit.
Fanela e kombëtares sonë në këtë pikë ndodhet në vendin e 10 me 17 mijë pëlqime, duke lënë pas uniformat e skuadrave të tilla si Suedia apo edhe Zvicra.
Procesi i dhënies së preferencave është i thjeshtë. “Sky Sports” ka pulikuar fotot e të gjitha fanelave të shoqëruara me shigjetat “lart” dhe “poshtë” për pëlqimet dhe mospëlqimet. Klasifikimi përpilohet pikërisht duke u bazuar te votat që pëlqejnë fanelat, me uniformën kuqezi që konkurron mjaft mirë.
Ndërkaq, fanela më e pëlqyer nga tifozët po rezulton të jetë ajo e Francës, me 40 mijë pëlqime, e ndjekur nga ajo e Kroacisë me 33 mijë vota, ndërsa fanela e Turqisë plotëson podiumin me 32 mijë pëlqime. Në pesëshen e fanelave më të preferuara janë Portugalia dhe Polonia, ndërkohë që më poshtë janë Italia apo edhe Gjermania.
Akoma më keq është Spanja. Fanela e Skuadrës kampione të Evropës ndodhet në vendin e 21 me 7200 pëlqime, ndërsa si fanela më e shëmtuar konsiderohet ajo e Ukrainës, me vetëm 4 mijë pëlqime.
Top Channel