“U rrekët të dëshmonit kush e do më shumë liderin”/ Balla-opozitës: Edhe 100 herë të kthehesha mbrapa, të njëjtin kallëzim do bëja për Berishën Kreu i opozitës nuk ka qenë kurrë më i ashpër në fjalor, por dhe kurrë më i qartë sesa kur shpjegoi vendimin e Partisë Demokratike për të ardhmen e dialogut politik për reformën në drejtësi.
“Pa zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dialogu me Edi Ramën është baraz me dialog me terroristët. PD nuk negocion me terroristë dhe PD nuk dialogon me terroristët, qofshin këta edhe terroristë kushtetues”, deklaroi Lulzim Basha.
Ku nuk ishte i qartë Basha lidhej me personat që i kanë lënë të kuptojë se mazhoranca do të reflektonte deri të enjten. “Jo. Nuk kemi megociuar, se nuk mund të negocionim. Ne bëmë të qartë se do të kemi përshkallëzim të situatës përmes kanaleve dhe përmes partnerëve tanë ndërkombëtarë, u presupozua që këtë të enjte ne do të kishim një vendimmarrje konform Kushtetutës për mandatin e Rakip Sulit dhe Valentina Leskajt”, tha Basha.
Kreu i PD refuzon ta quajë kërkesën për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese si një kusht për reformën në drejtësi, pavarësisht se deri të martën, kur është njoftuar mbledhja, dialogu politik është ndërprerë.
“Skenari është fare i qartë. Nuk ka kushte shtesë për reformën në drejtësi, por t’i kërkosh opozitës dhe PD të negociojë me terroristët kushtetues është e tepërt. Është e papranueshme”, theksoi Basha.
Edi Rama e ndoqi live kreun e opozitës dhe ky ishte rasti që replikat në distancë të mos mungonin. Sapo Basha parlajmëroi përshkallëzimin e veprimeve, kryeministri përdori në Twitter gjuhën popullore për të shprehur ironinë dhe mosbesimin.
“Vajmedet PD që kërcen si “prifti nga belaja”. E di mirë ky popull sa e do reformën në drejtësi! Po e di edhe ti që do s’do, do bësh sikur do! Dhe jo vetëm do bësh sikur do, por do bësh edhe sikur po na bind edhe neve! Bëj ç’të duash e thuaj ç’të duash, por nxito se duhet të votojmë”, tha Rama.
Lulzim Basha u pyet gjatë konferencës për qëndrimin e kryeministrit. “Çfarë do të thotë ‘do s’do’? Byroja Kombëtare u bë ashtu siç thash unë. Do s’do, Byroja Kombëtare do të hetojë ashtu siç ka hetuar edhe ata që ke takuar para disa javësh. Të tjerat i shohim hap pas hapi. Nuk ia hedh dot, sado lekë të paguajë, çfarëdo akti të marrë nuk ka për t’ia joshur dot. Prandaj reforma do të bëhet, absolulisht do bëhet. Po s’e bëri qeveria e tij, do ta bëjë e imja”, u përgjigj Basha.
Kreu i opozitës i kujtoi Edi Ramës se njësoj tallej një vit më parë edhe për dekriminalizimin. “E ka sot ligjin. Dhe shumë shpejt do të jetë një realitet me emra dhe mbiemra që do të largohen nga Parlamenti, nga bashkitë e vendit dhe nga zyrat e pushtetit. Dhe është vetëm fillimi. Krimi do të çmontohet, oligarkia do të çmontohet, demokracia do të triumfojë. Kjo është garancia me të cilën vij nga Uashingtoni”, tha Basha.
Top Channel