Terrori prek Anderlecht, Suarez largohet nga ekipi

24/03/2016 00:00

“Brukseli është një qytet plot me xhihadistë dhe për këtë arsye nuk do të qëndroj një sezon më shumë në kryeqytetin belg”.

Futbollisti argjentinas Matias Suarez ka qenë i qartë dhe i ftohtë në gjykimin e tij pas atentateve që goditën në aeroport dhe në një stacion metroje në Belgjikë, duke konfirmuar atë çka nën zë e rrëfejnë dhe lojtarë të tjerë të Jupiler Ligës.
 
Sulmuesi latin i Anderlechtit është shfaqur i tronditur nga kasaphana e ekstremistëve islamikë, aq sa ka zgjedhur të provojë një kampionat tjetër.
 
“Kam shumë frikë dhe në muajin qershor do të bëj të pamundurën që të largohem. Në Bruksel ka një lagje të tërë plot me xhihadistë dhe stacioni i trenave është pranë banesës time. Njerëzit aktualisht kanë shumë frikë dhe nuk dalin në rrugë, madje as në qendrat tregtare nuk ka shumë njerëz. Kam folur me agjentin dhe familjen time dhe nuk do të qëndroj këtu pas fundit të sezonit”, tha sulmuesi argjentinas.
 
Te Anderlechti mbetet për t’u parë gjithashtu pozicioni i trajnerit shqiptar Besnik Hasi, jo për frikën e atentateve në të ardhmen se sa për rezultatet e munguara në fushë.

Tekniku kosovar rrezikon shkarkimin nëse Anderlecht nuk do të fitojë dot titullin në javët e mbetura të Jupiler Ligës në Belgjikë.

Top Channel