Sekretarja për marrëdhëniet me publikun në PD, Grida Duma ka deklaruar këtë të martë se, kryeministri Rama ka hapur zyrtarisht rrugën për të përmbyllur aferën e tij “Skavica”, me firmën turke “Suzer”.
“Njoftohet se tenderi do të bëhet me 11 korrik, një garë sa për formalitet, pasi fituesi është i paracakuar, është “Suzer”, kompani që zyrtarisht ka marrë ndërkohë 8 pikë bonus nga Rama pasi ka bërë propozimin e pakërkuar”, ka deklaruar Duma.
Sipas saj, në këtë rast kemi të bëjmë me një pakt të kërkuar me kohë, “të shoqëruar me negociata të paligjshme e private”, të kryera nga Rama dhe Ahmetaj, “i cili në këmbim ka ndërmarrë dhjetëra udhëtime luksoze me çarter”.
“Kur ne e denoncuam këtë pazar të Edi Ramës me pasurinë publike me firmën “Suzer” një vit më parë, qeveria e mohoi. Më pas, negociatori i paligjshëm me çarter, Ben Ahmetaj e pranoi live në emisionin “Zonë e Lirë”. Dhe sot, “Suzer” rezulton edhe me dokument qeveritar si favorit, pasi ka marrë 8 pikë bonus për një propozim të pakërkuar”, ka vijuar Duma.
Ajo ka akuzuar kryeministrin Rama se, po ndan me klientin e tij një prej projekteve më të mëdha hidro-energjitike në vend e rajon.
“Një allishverish që ka nisur me negociata të paligjshme e private në Stamboll e që pritet të mbyllet me 11 korrik në Tiranë. “Suzer” dhe çdo kompani tjetër janë të paralajmëruar edhe sot më datë 24 maj 2016 nga Partia Demokratike e Shqipërisë se: konçesioni korruptiv i Skavicës do të zhbëhet. Se një hetim i plotë dhe i gjithanshëm i kësaj afere, përfshirë takimet, udhëtimet dhe allishverishin korruptiv Rama-Ahmetaj-Suzer, do të bëhet, në mos sot, nesër. Partia Demokratike do ta zhbëjë këtë konçesion me forcën e ligjit, si çdo konçesion e aferë tjetër korruptive të Edi Ramës”, ka shtuar Duma.
Top Channel