Është shtyrë sërish në Gjykatën Administrative të Apelit shqyrtimi i padisë së bashkisë për largimin e gjykatësit Arjan Qafa nga trupa e gjyqtarëve që do të shqrytojë çështjen e ndërtimit të 5 pallateve 17-katëshe tek diga e Liqenit.
Ndërkohë, Bashkia e Tiranës dorëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal ndaj gjyqtarit Qafa, për konflikt interesi lidhur me gjykimin e çështjes së kompleksit të 5 pallateve.
Në një deklaratë për mediat, Bashkia e Tiranës thekson lidhjet e gjyqtarit me kompaninë “Gener 2”. Sipas saj, gjykatësi Qafa është në konflikt interesi, pasi ai më datë 11 mars 2010 ka lidhur një kontratë porosi për shtëpi dhe garazh me kompaninë “Gener 2”.
Më 31 mars 2014, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e ka kallëzuar zotin Qafa në prokurori për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë.
Bashkia kërkon që gjyqtari në fjalë të përjashtohet menjëherë nga trupi gjykues i çështjes dhe që Prokuroria e Përgjithshme të nisë një hetim të hollësishëm për ndjekje penale ndaj tij.
Top Channel