Berisha: Të votojmë më parë Byronë. Balla: Berisha prish konsensusin

24/03/2016 12:25

Duke sulmuar kryeministrin Edi Rama si personin e vetëm që nuk kërkon miratimin e reformës në drejtësi, Sali Berisha ka dhënë dhe skemën e tij për votimin e reformës dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

“Të votohet Byroja si kapitull i parë, në një marrëveshje e cila të detyrojë palët që të votojnë çdo kapitull të reformës. Por nuk ka nevojë të presim fundin, sa të miratohet amendamenti i fundit dhe të fillojmë votimin”, deklaroi Berisha jashtë Parlamentit.

I pyetur se pse kërkohet votimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit në kohën kur institucionet në të cilat ajo do jetë në vartësi ende nuk janë formalizuar, Berisha dha këtë shpjegim:

“Nuk është se e miratove ti sot dhe do hyjë në fuqi nesër. Sa më shpejt që ta miratosh, aq më shpejt ajo do të hyjë në fuqi. Natyrisht, çfarëdo që të bëjmë ne, ajo do kërkojë një kohë të duhur për t’u strukturar tërësisht, por unë jam dakord që të vijohet me kapitujt me përparësi që lidhen me funksionimin e kësaj byroje”, tha Berisha.

Nga PS ka qenë Taulant Balla ai që i është përgjigjur Berishës dhe Partisë Demokratike.

“Në darkë bie dakord me Lulin, në mëngjes e prish Saliu. Mbrëmë lajm i mirë për të gjithë ata që ndjekin politikën ishte se kemi përparuar goxha, në 4 çështje të rëndësishme në kuadër të reformës në drejtësi. Në mëngjes, Saliu i jep urdhër grupit parlamentar, ndoshta në kundërshtim me porosinë e kryetarit de jure, se de fakto dihet kush është dhe mundohet të prishë punimet normale të një seance plenare”, deklaroi Balla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA