Pasi dështoi të fitojë besimin e republikanëve për të qenë ai kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë, kandidim që mund të sillte “Bush 3” në krye të Shteteve të Bashkuara, Jebb del hapur kundër Donald Trump.
Ish-guvernatori i Floridas shfaqi hapur mbështetjen e tij për Ted Cruz, të cilin e quajti një “konservator parimor”.
“Republikanët duhet të tejkalojnë përçarjen dhe vulgaritetin që ka sjellë Donald Trump, në të kundërt do të humbim Shtëpinë e Bardhë përballë rivales demokrate, Hillary Clinton”, shkruan Jebb Bush në faqen zyrtare në Facebook.
Ai thotë se republikanët mund të rifitojnë Shtëpinë e Bardhë dhe të rikthejnë vendin në rrugën e zhvillimit dhe të sigurisë vetëm nëse zgjedhin një kandidat që mund të bashkojë partinë dhe me një plan të detajuar sesi konservatorët do të ndihmojnë qytetarët.
Duke folur për CNN për këtë mbështetje, Ted Cruz tha se kjo vërteton që kandidatura e tij po fiton terren mes republikanëve. Edhe Mitt Romney, kandidat për president në vitin 2012 përballë Barack Obamas, u këshilloi republikanëve që të mos mbështesin Donald Trump.
Aktualisht Trump kryeson në garën brenda llojit me 739 delegatë, ndjekur nga Cruz me 465. Ai ka kërcënuar me “revoltë” brenda republikanëve nëse i mohohet kandidimi në konventën e partisë që zhvillohet në verë.
Kundërshtarët e miliarderit njujorkez, me përvojë politike modeste, shpresojnë që nëse Cruz nuk e mposht dot, të paktën Trump të mos kapë 1237 delegatë që e mbështesin dhe në këtë pikë do të hynte në lojë mekanizmi që kandidati do të zgjidhej prej drejtuesve të partisë, pavarësisht numrit të delegatëve që e mbështesin dhe kjo do të favorizonte Cruz, pasi Trump nuk gëzon mbështetjen e udhëheqjes republikane.
Top Channel