Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe qeveria shqiptare i qëndrojnë parashikimeve për një rritje prej 3.4% të ekonomisë për vitin 2016. Në përfundim të bisedimeve 2-javore të misionit të FMN-së në Tiranë, shefja për Shqipërinë, Anita Tuladhar, deklaroi se është arritur një marrëveshje dhe se objektivat e programit janë përmbushur.
“Sa i takon performancës së buxhetit, ajo deri tani ka ecur sipas pritshmërive. Sigurisht, tani është herët dhe mund të ketë ndonjë risk që mund të vijë nga rënia e çmimeve të naftës. Pikërisht për këtë kemi diskutuar, për të marrë masa të mundshme që mund të ndërmerren nëse do të ketë mangësi në mbledhjen e të ardhurave”, u shpreh Tuladhar.
Inflacioni i ulët është në monitorim edhe të Bankës së Shqipërisë. Guvernatori Gent Sejko u shpreh: “Banka e Shqipërisë mbetet në monitorim të vazhdueshëm të situatës. Ajo disponon instrumentet e duhura për të shmangur efektet negative afatgjata që mund të vijnë nga nivelet e ulta të inflacionit dhe mbetet e gatshme t’i përdorë nëse do të jetë e nevojshme në të ardhmen”.
Reforma e energjisë konsiderohet se ka dhënë efekte pozitive, ashtu si aksioni kundër informalitetit, i cili do të zbatohet sipas një strategjie të re që bazohet në analizën e riskut.
Ministri i Financave Arben Ahmetaj tha: “Ekonomia shqiptare e ka lënë mbrapa rrezikun e skenarit grek. Kemi ardhur në një fazë ku do të duhet të mendojmë për ta furnizuar ekonominë shqiptare. Beteja kundër informalitetit shkon në këtë fokus. Në mënyrë të zgjuar po fokusohemi nëpërmjet platformës dhe menaxhimit të riskut, ku sektorët që dalin me risk më të lartë do të kenë vëmendjen tonë më të madhe”.
Shefja e FMN-së foli edhe për koncesionet, për të cilat kërkoi analiza të kujdesshme të kostove dhe përfitimeve që duhet të reflektojnë edhe efektin në buxhetin e shtetit.
Top Channel