Balla vijon takimet me Diasporën, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së flet nga Italia: Gjithmonë krenari të takohem me shqiptarë të suksesshëm Athina dhe Tirana kanë rënë dakord, që “ligji i luftës” mes dy vendeve është një çështje e tejkaluar, edhe pse ende ka mbetur akti formal për ta shfuqizuar.
“Greqia nuk është në gjende lufte me Shqipërinë. Këtë e tregon dhe deklarata e vitit 1987 e Këshillit të Ministrave, e dëshmon integrimi i Shqipërisë në NATO dhe pakti i miqësisë në vitin 1996. Në qoftë se ekzistojnë çështje juridike, që nga ana e Shqipërisë kërkojnë riformulim të mëtejshëm, ekziston një mekanizëm dhe metodë për zgjidhjen e tyre”, tha Kotzias.
Me gjithë rakordimet për ato, që shefat e diplomacisë i cilësuan si çështje historike, në mes mbetet ende “deti”.
“Siç ka çështje, për të cilat ka rakordim të plotë, ka dhe çështje, për të cilat ne jemi ende në skicimin e një zgjidhjeje, e cila bazohet mbi të drejtën ndërkombëtare dhe interesin e ndërsjelltë. Në momentin kur ne të kemi gjetur zgjidhje, nuk ka dyshim që këtë do ta komunikojmë edhe përballë opinionit publik”, tha ministri Bushati.
Burime të Top Channel bëjnë të ditur se, në takimin kokë më kokë mes dy minsitrave është folur për të gjitha çështjet, që cilësohen si “të nxehta”, përfshi këtu dhe çështjen çame.
Ajo që mësohet është se, ministrat kanë shprehur gatishmërinë për ngritjen e mekanizmave të përbashkët për zgjidhjen e të gjitha problemeve të së kaluarës, të cilave palët u janë referuar si çështje me karater historik.
Ministri Bushati, më herët diskutoi me Presidentin Pavlopoulos. Ky i fundit ka kërkuar rifillimin e punës për çështjen e eshtrave të ushtarëve grekë në Shqipëri. E në përgjigje të kësaj, Bushati u shpreh i gatshëm që të mbyllen të gjithë kapitujt mes dy vendeve, që kanë të bëjnë me Luftën e Dytë Botërore. Gjithashtu, Presidenti grek kërkoi ndihmë nga Shqipëria përsa i përket menaxhimit të situatës së vështirë të refugjatëve.
***
Plot 20 vjet nga firmosja e Traktatit të Miqësisë mes Greqisë dhe Shqipërisë, më 21 mars 1996, ministrat e Jashtëm të dy vendeve janë takuar në Athinë. Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias janë shprehur të gatshëm të adresojnë një sërë temash dhe problemesh mes dy vendeve, për të mbyllur atë që presidenti grek Prokopis Pavllopullos më herët e quajti “mbylljen e kapitullit të së kaluarës në marrëdhëniet mes dy vendeve”.
Gjatë takimit, dy ministrat thanë se dy vendet kanë një pakt miqësie, për të cilin tashmë ka ardhur koha të rinovohet, modernizohet dhe të përshtatet me situatat aktuale.
Kotzias përshëndeti bashkëpunimin dypalësh dhe u shpreh i vendosur për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe. “Athina mbështet Shqipërinë në rrugën e saj europiane dhe do të vazhdojë ta bëjë atë”, deklaroi Kotzias.
Nga ana e tij, Bushati përsëriti qëndrimin e Tiranës për adresimin e çështjeve të së kaluarës, për t’i dhënë një energji pozitive marrëdhënieve dypalëshe.
I pyetur nga Top Channel se, kur do të dërgojnë në Parlament aborgimin e ligjit të luftës mes dy vendeve, Kotzias u shprej se, dy vendet nuk janë në gjendje lufte dhe kjo konfirmohet, sipas tij, nga firmosja e Traktatit të Miqësisë.
“Të dyja vendet janë anëtare të NATO-s dhe ndajnë mes tyre pikëpamje dhe bashkëpunim reciprok”, tha Kotzias.
“Por, nëse ekzistojnë terma juridikë për të cilat pala shqiptare kërkon një interpretim tjetër, atëherë ekziston mekanizmi për zgjidhjen e kësaj”, shtoi ministri grek.
Top Channel