
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka sqaruar reagimin e tij të një dite më parë, pas raportimit të portalit “Insider” se, vëllai i kryeministrit ka emigruar ilegalisht për t’u kuruar jashtë vendit.
“I gjithë relacioni im mbi këtë rast është ai që kam dhënë dje, me deklaratën time në Facebook. Do të thotë se kam qenë i pakënaqur me atë që ka ndodhur, por natyrisht që nuk jam unë, ai që mund t’i rregulloj çështjet e individëve, çështjet e sëmundjeve. Do të mundohem t’i rregulloj përmes përmirësimit të sistemit të shëndetësisë”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.
Për këtë lajm, i njëjti portal publikoi më pas lajmin se, kryeministri ka kërcënuar gazetarin Vehbi Kajtazi, ndërsa ky i fundit ka njoftuar se kërcënimin e kryeministrit e ka denoncuar edhe në polici.
Në shenjë kundërshtimi ndaj sjelljes së kryeministrit Mustafa për këtë rast, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës do të protestojë të martën në Prishtinë, para ndërtesës së Qeverisë. Por, kryeministri Mustafa ka mohuar ta ketë kërcënuar gazetarin Vehbi Kajtazi për lajmin e publikuar.
“Në asnjë rast, as nuk kam kërcënuar dikë dhe as nuk do të kërcënoj dikë, sepse unë dëshiroj që të kemi raporte shumë të mira me mediat, me gazetarët, të përkrahim fjalën e lirë dhe të përkrahim punën tuaj”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.
Këto komente, Mustafa i bëri pas përurimit të fillimit të punës së sistemit të ri në Doganën e Kosovës, i cili mundëson procedura të shkurtuara eksporti.
Top Channel