Dita e sindromës Down, 18-vjeçarja prezanton punimet e saj në pikturë

21/03/2016 00:00

Irma Nika është 18 vjeç dhe jeton në Bulqizë me prindërit e saj. Sindroma doën nuk e ka penguar këtë fëmijë të veçantë të zhvillojë pasionin e saj të fëmijërisë.

Që prej një viti, ajo ndjek kurse pikture pranë qendrës Down Syndrome Albania e gjatë kësaj kohe, Irma ka realizuar 14 punime, të cilat i prezanton për publikun në ekspozitën e saj personale.

Nuk është e vështirë të kuptosh se çfarë i pëlqen Irmës të pikturojë, pasi në 14 kuadrot e saj mbizotërojnë ngjyrat dhe natyra.

“Më pëlqen Dielli, sepse më bën të ndihem më mirë. Më pëlqejnë edhe ngjyrat, bluja dhe e kuqja, sepse përputhen më mirë me pasionin tim”, thotë Irma.

Të shtunat e të dielat e gjejnë Irmën dhe babain e saj në kryeqytet. Të dy udhëtojne nga Bulqiza për të marrë leksione pikture.

“Irma e ka patur pasion pikturën që e vogël. Në fillim punonte vetëm me laps dhe më pas filloi të ngjyroste kur shkonte në shkollë”, tregon i ati.

 Të gjitha tablotë, tregon profesori i Irmës, pasqyrojnë botën e brendshme të saj. “Në fillim ka qenë pak e vështirë, por vullneti që ka Irma është për t’u vlerësuar. Ka sjellë punimet para një viti, kur u hap qendra jonë, dhe i kishte punuar shumë mirë”, tregon profesori.

Ekspozita e personale e Irma Nikës do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 27 mars.

Top Channel