Vizita dyditore e ministrit Bushati në Athinë

20/03/2016 00:00

Të hënën, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati do të udhëtojë drejt Athinës për një vizitë zyrtare dyditore, ku në qendër të axhendës do të jetë kriza e refugjatëve sirianë, ligji i luftës dhe minoritetet.

Top Channel ka mësuar nga burime jo zyrtare pranë Ministrisë së Jashtme greke se pikat e diskutimit do të jenë abrogimi i ligjit të luftës mes dy vendeve, situata e minoritetit grek në Shqipëri dhe integrimi europian i Shqipërisë.

Thuhet se do të diskutohen edhe marrëveshjet dypalëshe por edhe situata në rajon dhe çështja e refugjatëve.

Ndërkohë burime nga Ministria e Jashtme shqiptare konfirmojnë se në bisedime do të diskutohet e gjithë paketa e çështjeve dypalëshe, sigurisht edhe ato me karakter historik, siç është abrogimi i ligjit të luftës ose edhe ato të aktualitetit, zhvillimet dhe bashkëpunimet rajonale.

Pikat ku do të fokusohet pala shqiptare është edhe çështja konsullore dhe të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Greqi, por edhe bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve.

Çështjet konsullore duket se kanë të bëjnë edhe me problemet e shfaqura së fundmi në pasaportat shqiptare me toponimet e qyteteve greke, aty ku janë lindur emigrantët shqiptarë e brezit të dytë.

Krahas bisedimeve me homologun Kotzias, Bushati do të pritet në takime të veçanta nga autoritet më të larta shtetërore greke, do të ketë një takim me kreun e opozitës greke si dhe me shoqërinë civile.

Në vijim të takimeve të mëparshme, ministri Bushati do të takohet edhe me komunitetin shqiptar që jeton Greqi.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta