Patozi: Rama do të largohet vetëm kur të dalë barazim

19/03/2016 00:00

Edhe deputeti i PD, Astrit Patozi ka reaguar lidhur me kongresin e mbajtur nga Partia Socialiste, duke vlerësuar se, “ky kongres legjitimoi marrëzinë e fundit të kryeministrit”.

“Lajmi është se zyrtarisht Edi Rama i ka eleminuar zgjedhjet në Partinë Socialiste, duke shpikur një normë të çuditshme statutore, sipas së cilës kryetari i partisë që fiton zgjedhjet nuk mund të votohet”, ka deklaruar Patozi.

Por, sipas deputetit të PD, “deri këtu nuk ka asgjë të papritur”, gjithçka është “sipas parashikimeve”.

“Nuk po i hyjmë këtu faktit që ky është një standart i papranueshëm, i pambrojtshëm, pa sens dhe që nuk ekziston gjëkundi në botë. Por vini re. Edi Rama nuk është një kryetar partie që është mësuar vetëm të fitojë. Ai e ka provuar edhe shijen e hidhur të humbjes. Jo më larg se 7 vjet më parë. Por çfarë bëri atëherë? Sërish nuk iku”, është shprehur Patozi.

Dhe tani, sipas tij, pyetja që shtrohet është: në çfarë rasti mund të largohet ky njeri nga karigia e kryetarit të Partisë Socialiste, “në një kohë kur ai nuk pranon të ikë kur humbet zgjedhjet, por po ashtu, nuk pranon të zgjidhet kur fiton”.

“Unë nuk di që të ketë rezultat tjetër, që dikush të presë një ditë që Edi Rama të ikë vetë, apo ta zbojnë nga timoni i Partisë Socialiste. Sepse barazimi ekziston vetëm në futboll, por jo në zgjedhje, politike apo administrative qofshin ato. Mirëpo, këto çështjet e marrëzisë nganjëherë janë sëmundje ngjitëse. Uroj shumë që kjo flamë e shpifur, e cila ka gjunjëzuar sot partinë kryesore qeverisëse, të mos përhapet më tej, por të karantinizohet tek Partia Socialiste. Dhe meqë nuk jam qytetar amerikan, më lejohet të them se kjo gjë do të ishte po aq e rrezikshme për ne, sa fjala vjen, zgjedhja e Trump president të Shteteve të Bashkuara”, përfundon Patozi statusin e tij.

Top Channel