Historia e Kristjan Sokolit, shqiptari i futbollit amerikan

19/03/2016 00:00

Një histori shqiptare sa e trishtë aq edhe e zakonshme, emigrimi i kushtëzuar nga varfëria, frika dhe për një jetë më të mirë, që gjithësesi jo të gjithë e kanë patur fatin ta finalizojnë.

Por gjërat shkuan më së miri për Kristian Sokolin, djalin me origjinë nga Puka, i cili sot ka plotësuar ëndrrën e tij amerikane për të luajtur në Kampionatin Kombëtar të Futbollit në Amerikë.

Vetëm 0.08% e të rinjve amerikanë kanë shansin të kalojnë nga universiteti në një skuadër profesioniste të futbollit amerikan, ndërsa Kristjani jo vetëm bën pjesë tek kjo përqindje e vogël, por është dhe shqiptari i vetëm në kampionatin NFL.

E megjithatë, për të mbërritur deri aty, familjes Sokoli, nga Shkodra ku jetonin deri në Nju Xhersi ku janë tani, i është dashur të kalojë jo pak.

“Babai në Shkodër punonte në minierë, më pas si kambist. Kur shkoi në Amerikë punonte në ndërtim. Nuk dinim as gjuhën, asgjë. Unë që isha 9 vjeç, shkoja në shkollë në klasë të tretë dhe pas shkolle ndihmoja babain në punë”, tregon Kristjan.

Përhapja e futbollit amerikan dhe kultura e këtij sporti që nga klasa e parë, e përfshiu edhe Kristjanin. Kjo ishte një aventurë krejt e re për të, ndryshe nga pozicioni i portierit të futbollit europian që luante me fëmijët në Shkodër.

“Fillova të merrem me futbollin amerikan në klasë të shtatë, kundër lejes së babait dhe nënës, sepse iu dukej sport i rrezikshëm. Në atë kohë isha më i dobëti i klasës. Per dy vjet luaja futboll amerikan dhe portier futbolli europian, por erdhi një moment që mu desh të zgjidhja njërin”, rrëfen sportisti.

Kristjani nuk ishte i vetmi shqiptar që kishte vendosur të zgjidhte ëndrrën sportive amerikane. Nervat e lojës dhe fjalori jo i përshtatshëm që gjithmonë shfaqet në momente nervash dhe shfryhet në gjuhën amtare, e dalloi atë dhe një tjetër sportist me origjinë shqiptare, që rastësia i përballi në lojë.

“Në Divizionin 1 mund t’ju shpjegoj se vetëm 1% e studentëve kalojnë të luajnë dhe asnjëherë nuk do e mendoja që mund të isha përballë një tjetër shqiptari. Mu desh të luaja përballë tij dhe flisnim shqip. Loja ka nerva dhe thamë gjithçka”, tregon ai duke qeshur.

Megjithatë, deri më 2014-n, për Kristjan Sokolin, një student finance në Universitetin e Bufalos, në Nju Jork, futbolli amerikan ishte një pasion, një lojë dhe sport për t’u argëtuar, me shumë më pak shpresë se dëshirë për një “telefonatë njëmilion-dollarëshe”.

“Ishte e shtunë, ishim mbledhur me kushërinjtë në shtëpi dhe po shihnim përzgjedhjet. Më ra telefoni dhe sa pash kodin e Uashingtonit për asnjë sekondë nuk e lash zilen. Ishte Pit Kerroll, trajneri i Seahawks, që më tha se kishin vendosur të më merrnin mua. I thash ‘you’ll never regret this decision’”, thotë Kristjan.

Objektivin e parë për të qenë brenda 53 lojtarëve të skuadrës Kristjani e kaloi vitin e shkuar me sukses, por ambicja nuk e lë të mjaftohet me kaq.

Specialistët e vlerësojnë shumë 24-vjeçarin nga Puka, i cili në sajë të gjatësisë së tij, 197 cm dhe peshës 145 kg, ka një të ardhme të mirë në qendër të mborjtjes së Seahawks, një skuadër e cila në vitet e fundit jo vetëm ka arritur të fitojë titullin (2013 SuperBoël) por edhe të mbetet mes pretendentëve kryesorë.

“Nuk ak gjë më të mirë sesa të jesh me disa njerëz që sakrifikojnë bashkë për një arritje të madhe dhe dua shumë të jem dhe unë një pjesë e vogël e një arritjeje të madhe, që është titulli kampion”, thotë Kristjan Sokoli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA