
Koreja e Veriut ka hedhur në det një raketë balistike, scic bëjnë me dije zyrtarë koreano-jugorë dhe amerikanë. Sipas tyre, raketa e hedhur nga brigjet lindore të vendit, fluturoi përreth 800 km dhe më pas ra në ujë. Koreja e Veriut nuk ka komentuar ende lidhur me çështjen.
Një zëdhënës amerikan i mbrojtjes tha më vonë se ishte hedhur edhe një raketë e dytë. Edhe agjencia koreano-jugore e lajmeve “Jonhap”, duke cituar burime te paidentifikuara, foli për një raketë të dytë e cila siç tha, mund të jetë shpërbërë në ajër.
Besohet se bëhet fjalë për raketa Rodong, me rreze të mesme veprimi. Me një rreze maksimale prej 1300 km, këto lloj raketash kanë kapacitetin për të arritur të gjithë Korenë e Jugut e gjithashtu pjesë të Japonisë.
Presidenti amerikan, Barack Obama, aprovoi më herët sanksione të reja kundër Penianit, pas atij që u cilësua një test i paligjshëm bërthamor dhe gjithashtu hedhjes së një sateliti.
Sanksionet parashikojnë ndër të tjera ngrirje të aseteve të qeverisë koreano-veriore në SHBA, ndalim të eksporteve amerikane apo investimeve në Korenë e Veriut etj.
Mes tensioneve në rritje, Veriu komunist dënoi një student amerikan me 15 vite punë të detyruar, për krime të rënda kundër shtetit. SHB kërkoi lirimin e menjëhershëm të 21-vjeçarit, Otto Warmbier, i cili u arrestua ndërsa po përpiqej të vidhte një shenjë propagande në hotelin ku po qëndronte gjatë një vizite në muajin janar.
SHBA dhe Koreja e Jugut po zhvillojnë stërvitjet më të mëdha ushtarake, që zakonisht gjenerojnë tensione të mëdha në rajon. Por këtë vit, Peniani kërcënoi Seulin dhe Uashtingtonin me një sulm bërthamor.
Top Channel