Në vigjilje të Kongresit të PS-së, Kryeministri Edi Rama mbërriti i qetë në darkën e mirëseardhjes të delegacioneve nga jashtë Shqipërisë pas ditësh intensive kushtuar shkrimit të fjalimit.

Pjesë e darkës ishin edhe kryetarët e partive aleate të PS-së, mes tyre ish-presidenti Bamir Topi dhe personalitete me kontribute ndër vite në PS. Por, mungoi aleati qeverisës i Ramës, kreu LSI-së, Ilir Meta dhe ata tradicionalë si Gjinushi e Milo. Të ftuarit e Ramës ishin edhe disa deputetë ku nuk mungoi ai I Shkodrës, Namik Kopliku, i rreshtuar në zërat kritik ndaj kryesocialistit dhe tashmë i pozicionuar si  mbështetësi Ben Blushit.

Një darkë me ata të cilët vetëm do të dëgjojnë të shtunën dhe nuk do të jenë një kokëçarje e shtuar‎ për Ramën në Kongres, të cilin do hapë Gramoz Ruci, për të vijuar me një fjalim të gjatë nga Rama, i orientuar tek e ardhmja e PS-së ku si moto do të jete “Partia Socialiste për gjeneratën e Shqipërisë tjetër”.

Kongresit do t’i duhet të miratojë ndryshimet në statut dhe votojë anëtarët e ri të Asamblesë Kombëtare.

Pjesa e katërt e Kongresit i kushtohet diskutimeve. Ky do të jetë momenti kur kundërshtari i Ramës, Ben Blushi, do t’i paraqesë Kongresit platformën për demokracinë e brendshme dhe mirëqeverisjen.

Përpara hedhjes në votim, propozimi i Ramës për referendum, që lidhet me mandatin e tij, do të marrë kundërshtitë e Blushit dhe mbështetësve që ai ka pas vetes, por edhe nga kolegët e tij deputet, të cilët thonë se Rama s’ka pse ia plotëson këtë kapriçio Blushit.

Pavarësisht se referendumi kundërshtohet nga Blushi në PS, shihet edhe si testi i parë për t’i matur bazës socialiste pulsin e popullaritetit real që gëzon deputeti kritik përballë Edi Ramës.

***

Fjalimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:

“Mirëmbrëma të gjithëve, mirë se keni ardhur!

Vetëm dy fjalë mirëseardhjeje posaçërisht për ata që na kanë nderuar duke ardhur nga më larg. Falënderoj në mënyrë të posaçme ata që kanë ardhur nga Kosova, nga Maqedonia, nga Mali i zi, përfaqësues të partive politike shqiptare. Është kënaqësi dhe nder që t’ju kemi midis nesh në prag të kongresit.  Falënderoj gjithashtu të gjithë ata që pata kënaqësinë ti takoj dhe që janë në themelet e kësaj partie që i kanë dhënë jetë dhe kanë pasur një rol kyç për ta rritur, zhvilluar dhe forcuar Partinë Socialiste në periudha jo të lehta.

Dua të falënderoj edhe të gjithë aleatët e pranishëm këtu në sallë, miqtë e tjerë, padyshim shkëlqesitë ambasadorë dhe ambasadore që na kanë nderuar me praninë e tyre. Zyra e Marrëdhënieve me Jashtë ishte e shqetësuar se nuk kishte konfirmime, por ja ku kanë ardhur që të gjithë. E në mënyrë të posaçme dua t’i shpreh një falënderim të veçantë Kryeministrit legjendar të Italisë, në kohën e përpjekjes së madhe për të çliruar Kosovën dhe po ashtu, presidentit të Fondacionit për Studimet Progresive, të Partisë Socialiste Europiane, mikut tonë të shtrenjtë Massimo D’alema, i cili na ka nderuar me praninë e tij dhe me të cilin kemi një diskutim për librin e tij më të fundit “Jo vetëm euro”, në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri. Kush është i dëshiruar, përveç Albin Kurtit që jam i sigurt që do të vijë, si një armik i betuar i euros, jeni të ftuar të merrni pjesë. Falënderoj padyshim edhe gjithë kolegët, që janë këtu të pranishëm, anëtarë të grupit parlamentar, anëtarë të qeverisë!

Edhe një herë faleminderit të gjithëve!”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA