Bushati në Athinë për ligjin e luftës, minoritetet, refugjatët…

18/03/2016 00:00

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, zhvillon më 21 mars vizitën e dytë zyrtare në Athinë pas vitit 2013. Të dy ministritë janë ende në përcaktimin e temave të diskutimit e marreveshjeve në këtë takim.

Ndërkohë, Top Channel ka mësuar nga burime jo zyrtare pranë Ministrisë së Jashtme greke se pikat e diskutimit do të jenë abrogimi i ligjit të luftës mes dy vendeve, situata e minoritetit grek në Shqipëri dhe integrimi europian i Shqipërisë.

Thuhet se do të diskutohen edhe marrëveshjet dypalëshe por edhe situata në rajon dhe çështja e refugjatëve.

Ndërkohë burime nga Ministria e Jashtme shqiptare konfirmojnë se në bisedime do të diskutohet e gjithë paketa e çështjeve dypalëshe, sigursht edhe ato me karakter historik, siç është abrogimi i ligjit të luftës ose edhe ato të aktualitetit, zhvillimet dhe bashkëpunimet rajonale.

Pikat ku do të fokusohet pala shqiptare është edhe çështja konsullore dhe të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Greqi, por edhe bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve.

Çështjet konsullore duket se kanë të bëjnë edhe me problemet e shfaqura së fundmi në pasaportat shqiptare me toponimet e qyteteve greke, aty ku janë lindur emigrantët shqiptarë e brezit të dytë.

Top Channel