
Policia belge ka gjetur gjurmë gishtërinjsh të të arratisurit kryesor të kërkuar për sulmet e nëntorit të kaluar në Paris, pikërisht në vendin ku u shënua një shkëmbimzjarri gjatë operacionit të forcave antiterroriste me të dyshuarit në ndjekje. Lajmi bëhet i ditur këtë të premte, teksa rrjeti televiziv publik belg njofton se Salah Abdeslam mund t’i ketë shpëtuar “fijen e perit” kapjes. Ndërkohë, aktualisht ka pasur të shtëna të tjera gjatë një tjetër operacioni antiterror në lagjen Molenbeek të kryeqytetit belg.
Zyra e prokurorit federal të Belgjikës zbuloi gjithashtu se algjerian i vrarë gjatë bastisjes antiterror në një apartament të Brukselit, gjatë ditës së martë, me shumë gjasa ka qenë një prej njerëzve më të kërkuar të hetuesve francezë dhe atyre belgë, në lidhje me sulmet e Shtetit Islamik në Paris, më 13 nëntor.
Zyra e prokurorit bëri të ditur se gjurmët e Salah Abdeslamit, një 26-vjeçar francez nga Brukseli, i dyshuar se ka marrë pjesë në sulmet e Parisit, u gjet në apartament por detaje të mëtejshme mbi arratisjen e tij nuk mund të jepen për shkak të mbrojtjes së hetimit. Ndërsa vetëm pak më vonë, nga i njëjti institucion u mësua përmes një deklarate të dytë se, Mohamed Belkaid mund të jetë me shumë mundësi personi që identifikohej më herët si Samir Bouzid, gjithsesi ai mbeti i vdekur të martën.
Rrjeti televiziv shtetëror “RTBF” deklaroi se kishte informacione se Abdeslami, vëllai më i madh i të cilit hodhi veten në erë në Paris, ka qenë “me të gjitha gjasat” njëri prej dy personave, të cilët policia tha se i kanë shpëtuar arrestimit në vendngjarje, përpara se një “snajper” të godiste për vdekje 35-vjeçarin Belkaid, duke qenë se mbante në duar një kallashnikov. Ndërkohë që media të tjera belge u treguan më të rezervuara, duke thënë vetëm se ka prova që Abdeslam të ketë qenë atje.
Personi Samir Bouzid është në kërkim prej dhjetorit, kur policia publikoi pamje të regjistruara të tij, teksa tërhiqte parà “cash” në Bruksel, vetëm dy ditë pas sulmeve të Parisit, duke ia dhënë një gruaje që më pas mbeti e vrarë pas shkëmbimzjarrit me policinë në periferinë St. Denis të Parisit. Ajo ishte kushërirë e Abdelhamid Abbaoud, një belg që kishte luftuar në Siri dhe që dyshohet si organizatori i sulmeve, si pasojë e të cilave humbën jetën 130 persona. Të dy mbetën të vdekur në një apartament në St. Denis, më 18 nëntor.
Top Channel