Brazili në krizë politike, vazhdojnë protestat në vend

18/03/2016 00:00

Brazili gjendet në mes të krizës më të rëndë politike në rreth 25 vjet, ndërsa e ardhmja e qeverisë se Dilma Rusef është në dyshim.

Mes zemërimit për skandalin e korrupsionit ku është përfshirë elita politike dhe recesionit ekonomik, protesta masvie u zhvilluan mbrëmjen e së enjtes në kryeqytetin e vendit Brazilia dhe qytete të tjera, përfshirë Rio De Janerion dhe Sao Paulon.

Protestat shpërthejnë pas nisjes së procedurave për daljen para drejtësisë së Rusef. Ndërkohë një gjykatës ka bllokuar emërimin Lula da Silvës si shef kabineti, pasi një bisedë e përgjuar telefonike mes Rusef dhe Da Silvës, sugjeroi se emërimi i tij motivohej nga dëshira për të evituar ndjekjen penale të ish-Presidentit i hetuar në skandalin e korrupsionit të Petrobras.
 
“Po luftoj kundër korrupsionit, pasi pas asaj që ndodhi, vendimi për të emëruar Lulen ministër, është një fyerje për popullin brazilian. Besoj tek ndryshimi dhe shpresoj seriozisht që kjo do të na sjellë rezultate në të ardhmën”

Në bisedën e publikuar nga një gjykatës, dëgjohet Rusef që i thotë Lulës se do t’i dërgojë letrat e firmosura të emërimit që ti ketë gati në rast nevoje dhe ish-mëuesi i saj pranon me kënaqësi.

Gjykatësi Sergio Moro, që publikoi bisedën e përgjuar, tha se nuk ka prova që letrat të jenë dorëzuar fizikisht, por populli kishte të drejtë të dinte të paktën bisedën.

Kjo përshkallëzoi edhe më shumë protestat, por duket se nuk ka prekur qëndrimin e Presidentes Rusef. Ajo mbrojti publikisht emërimin e Lulës si shef kabineti duke thënë se kjo forcon qeverinë.

Top Channel