Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Koresë së Veriut që të lirojë menjëherë një student amerikan të arrestuar në Penian dhe të dënuar me 15 vjet burg punë të detyruar për “krime kundër shtetit”.
Otto Warmbier, 21 vjeç, u arrestua për tentativë vjedhjeje të një shenje propagande në një hotel, teksa po vizitonte kryeqytetin korean në janar të këtij viti.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë e akuzoi regjimin e Penianit se po përdor qytetarët amerikanë si pengje për të realizuar axhendën e tij politike.
Media shtetërore e vendit të izoluar komunist njoftoi ndërkohë se Warmbier është dënuar në bazë të nenit të posaçëm të kodit penal sa i takon “përmbysjes”. Vendimi u dha nga Gjykata Supreme.
“Inkurajojmë fuqishëm qeverinë e Koresë së Veriut që të falë 21-vjeçarin dhe t’i garantojë atij një amnesti të posaçme dhe liri të menjëhershme”, deklaroi zëdhënësi Josh Earnest.
Në disa raste Korea e Veriut ka përdorur burgimin e shtetasve të huaj si mjet për të ushtruar presion ndaj vendeve kundërshtare.
Korrespondenti i BBC në Korenë e Jugut deklaron se, ndëshkimi me 15 vjet mund të krahasohet me dënimet që u jepeshin të huajve në të kaluarën.
Kjo ngjarje mund të shënojë kulmin e tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut, shton i dërguari i rrjetit britanik në Seul.
Top Channel