Liberalizimi i vizave, misioni faktmbledhës mbërrin në Kosovë

16/03/2016 18:50

Ka mbërritur në Kosovë ekipi i ekspertëve europianë që do të vlerësojë në terren përmbushjen e tetë rekomandimeve të fundit për liberalizimin e vizave.

Aktiviteti i tyre nuk është i hapur për mediat, por Fisnik Rexhepi, këshilltar i ministrit të Integrimit Bekim Çollaku, ka konfirmuar përmes telefonit për Top Channel se ekipi vlerësues, i përbërë nga 8 anëtarë, katër nga Komisioni Evropian dhe katër nga vendet anëtare të BE-së, ka filluar punën të mërkurrën.

Vendet që kanë dërguar ekspertë vlerësues në Kosovë janë Franca, Suedia, Sllovenia dhe Belgjika. Rexhepi tha se në ditën e parë të punës, ekspertët kanë takuar përfaqësuesit e institucioneve të BE-së në Prishtinë, ndërsa në dy ditët e ardhshme do të takojnë edhe zyrtarët e Ministrisë së Integrimit Evropian dhe të institucioneve që preken nga përmbushja e kritereve, ku bënë pjesë Prokuroria Themelore, Avokati i Popullit, Organi Shqyrtues i Prokurimit, etj.

Përfundimet në terren, ekipi t’ia paraqesë komisionerit për Zgjerim Avramopoulos, i cili ka pralajmëruar se do të vizitojë Prishtinën për të dhënë qëndrimin final të Komisionit lidhur me këtë çështje.

Në prag të vizitës së ekspertëve, të martën paradite ministri i Integrimit, Bekim Çollaku zhvilloi një takim me shefin e misionit të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, me të cilin diskutoi pikërisht mbi gatishmërinë e Kosovës për të pritur ekipin vlerësues.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA