Studenti amerikan Otto Warmbier u dënua me 15 vjet punë të detyrueshme në Korenë e Veriut për krime kundër shtetit. 21-vjeçari u arrestua pasi tentoi që të vidhte një tabelë propagande nga një hotel ndërsa vizitonte Korenë e Veriut në janar.
Më vonë, ai u shfaq në televizon ku pranonte fajin dhe se një grup kishe i kishte kërkuar që të sillte një trofe nga udhëtimi i tij. Warmbier u arrestua më 2 janar ndërsa po largohej nga Koreja e Veriut dhe më pas u shpall fajtor për kryerjen e akteve armiqësore. Sipas akuzës, ai kishte tentuar të shkatërronte unitetin e vendit dhe ishte manipuluar nga qeveria amerikane.
Në fund të shkurtit, gjatë një konference për shtyp, me sytë plot lot, ai pranoi se kishte vjedhur një slogan politik nga zona e stafit në hotelin Jang-akdo: “Qëllimi im ishte të dëmtoja motivimin dhe etikën e punës së popullit korean. Ishte një qëllim i gabuar dhe gabimi më i madh i jetës sime”.
Me raste, Koreja e Veriut përdor burgosjen ndaj të huajve si mjet presioni ndaj rivalëve të saj. Megjithatë, sipas mediave, dënimi prej 15 vjetësh me punë të detyruar është mjaft i lartë në krahasim me dënimet e marra nga të huajt e tjerë. Besohet se kjo është bërë për shkak të tensioneve të larta aktuale mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së. Mediat shtetërore koreanoveriore ende nuk kanë raportuar për dënimin, por agjencia kineze e lajmeve “Xinhua” tha se ndëshkimi për Warmbier ishte dhënë nga Gjykata Supreme.
Top Channel