Bayern Munchen ka kaluar në çerekfinale të Champions League pas një ndeshje dramatike në “Allianz Arena” ndaj Juventusit, duke e mposhtur në 30 minutat e shtesës 4-2, pasi 90 minutëshi i rregullt ishte mbyllur në barazim 2-2, po aq sa kishte përfunduar edhe ndeshja e parë në Torino.
Juventusi zhvilloi një pjesë të parë të shkëlqyer duke mos i lejuar në asnjë raste lojtarët e Bayernit të rrezikonin portën e Buffon, ndërsa me anë të kundërsulmit arritën të shënojnë dy gola, në fillim Pogba dhe më pas Cuadrado.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhon e skuadrës italiane, ndërsa në 45 minutat e dyta ishte një histori krejt tjetër. Tashmë bavarezët treguan fytyrën e tyre të vërtetë, duke mos u dorëzuar deri në sekondën e fundit të ndeshjes. Lewandowski shkurtoi diferencën në minutën e 73, ndërsa në minutat shtesë, Muller barazoi rezultatin në 2-2.
Edhe ndeshja e parë mes dy ekipeve kishte përfunduar me të njëjtin rezultat dhe tashmë nevojiteshin 30 minutat e shtesës për të vendosur ekipin e kualifikuar në çerekfinale.
Pas pësimit të dy golave, Juventusi dukej i dorëzuar. Alcantara shënoi në minutën e 108 golin e tretë për Bayernin, ndërsa Coman, ish-lojtar i Juventusit, vulosi rezultatin në 4-2 në minutën e 110.
Ndërkohë, Barcelona nuk e pati të vështira ta mposhti edhe në ndeshjen e dytë Arsenalin. Neymar, Suarez dhe në fund Messi i dhanë fitoren 3-1 Barcelonës në “Camp Nou”. Për Arsenalin, autor i golit të vetëm ishte Elneny. Edhe në ndeshjen e parë në Londër ishte Barcelona që triumfoi 0-2.
Me Bayernin dhe Barcelonën të kualifikuar këtë të mërkurë plotësohen edhe 8 ekipet çerekfinaliste të këtij sezoni në Champions League.
Top Channel