Novak Djokovic dhe Rafael Nadal kualifikohen për në raundin e tretë të turneut Masters të Indian Wells. Numri 1 i renditjes botërore u përball me Bjorn Fratangelo, një sfidë që nuk rezultoi aspak e lehtë për të. Tenisti amerikan, numri 149 i botës, befasoi Djokovicin teksa fitoi setin e parë 6-2. Por serbi e mori shpejt veten dhe arriti të fitojë dy setet e tjerë 6-1 dhe 6-2.
Tre sete iu deshën edhe Rafael Nadalit për të kaluar në raundin e tretë në Indian Wells, teksa mposhti Gilles Muller 2-1. Nadali fitoi setin e parë 6-2, por humbi të dytin 2-6. Numri 5 i botës fitoi më pas setin final 6-4.
Ndërkaq, Nadali, pas përfundimit të takimit, bëri të ditur se do të ngrejë padi ndaj ish-ministres franceze Bachelot, e cila e akuzoi përpara disa ditësh për përdorim dopingu.
“Do çoj përpara drejtësisë të gjithë ata persona që bëjnë komente të tillla ndaj meje. U lodha duke dëgjuar fjalë të tilla. Nuk kam folur deri tani, por durimi e ka një kufi. Nuk mund të pranoj komente të tilla nga një person që duhet të jetë serioze, siç është ministrja e një vendi të madh si Franca”, tha Nadal.
Top Channel