
Partizani dhe Skënderbeu zhvilluan një ndeshje të bukur në “Qemal Stafa”, megjithëse në fund ishte Skënderbeu që iu gëzua rezultatit, një barazimi 1-1 që e ruan diferencën në 4 pikë nga Partizani i vendit të dytë.
Pas përfundimit të takimit, Kristi Vangjeli, protagonisti kryesor për korçarët me golin e shënuar në fundin e takimit, u shpreh se Skënderbeu e ka treguar që di të luajë futboll dhe këtë e bëri edhe në ndeshjen e fundit ndaj Partizanit.
“Ishte një gol vendimtar që erdhi në minutat e fundit dhe e mbajti të pandryshuar diferencën prej 4 pikësh nga Partizani. Skënderbeu e ka treguar që di të luajë futboll ne Europë dhe në kampionatin shqiptar”, tha Vangjeli.
Ndërsa, trajneri i Partizanit, italiani Agostinelli tha se fati në këtë takim ishte me Skënderbeu.
“Rezultati në futboll vendoset edhe nga episodet, duhet të jesh edhe me fat. Fati nuk ishte sot me ne. Kur mendoj penalltinë e humbur më vjen keq, pasi e kishim fitoren në dorë. Për sa i përket golit të Skënderbeut, ai erdhi nëpërmjet një faulli ta paqenë”, u shpreh trajneri i Partizanit.
Barazimi në këtë takim u cilësua si një humbje e madhe nga portieri i të kuqve, Alban Hoxha.
“Nuk e prisnim këtë gol pasi kemi luajtur shumë mirë gjatë gjithë ndeshjes. Megjithatë, futbolli ky është, ka momente të bukura, por dhe vështirësi”, u shpreh Hoxha.
Deri në përfundimin e këtij sezoni janë edhe 10 javë. 10 ndeshje finale për këto dy skuadra, të cilat do të pretendojnë deri në fund të shpallen kampion, Skënderbeu për të 6-n herë radhazi, ndërsa Partizanin për të rikthyer trofeun që i mungon që prej 23 vitesh palmaresit të saj.
Top Channel