Kur ishte në Stamford Bridge nuk i bindi drejtuesit e “Bluve te Londres” dhe Romelo Lukaku shijon hakmarrjen pasi ndëshkoi me një dygolësh ish skuadrën e tij Chelsean për ti dhënë fitoren 2-0 Everton në Goodison Park. Hakmarrja e ishit bie në këtë mënyrë mbi Chelsea që eleminohet nga kompeticioni i vetëm ku mund të fitonte dicka këtë sezon, ndërsa formacioni i Roberto Martinez shkon në gjysmëfinalet e FA CUP.
Në një ndeshje me ritëm dhe plot intensitet ishte Chelsea që shkoi më pranë avantazhit në pjesën e parë, me goditjen e lirë të Willian që u neutralizua nga Joel Robles në minutën e 44. Diego Costa ishte vërtet shumë pranë golit të zhbllokimit të rezultatit në minutën e 58 kur përparoi në të majtë brenda zonës, kaloi dhe Robles por nga një pozicion shumë i prirët pa topin e dërguar prej tij të shkonte thuajse paralel me vijën fatale dhe të dilte jashtë.
Gol i munguar për vërtet shumë pak centimetra të cilin Chelsea e pagoi shtrenjtë, pasi në minutën e 78 Romelo Lukaku ishte vërtet i jashtëzakonshëm, duke dribluar plot 4 kundërshtarë e më pas edhe Courtois për avantazhin e Everton.
1-0 për Everton me Lukakun që i nisur nga një pozicion i dyshimtë vendosi ta bëjë rolin e ndëshkuesit të Chelsea deri në fund duke kompletuar misionin me golin që vulosi rezultatin në minutën e 82 .
Mbrëmja e makthit me Guus Hiddink u kompletua me Diego Kostën që u ndëshkua me karton të kuq për një kontakt me Gareth Barry kur u duk sikur u përpoq të kafshonte mesfushorin anglez, ndërsa dhe vetë Barry mori më pas një karton të kuq për një ndërhyrje ndaj Cesc Fabregas.
Top Channel