Për vitin 2015 Tirana vazhdoi të mbetet një qytet me ajër të ndotur. Edhe pse raporti përfundimtar nuk ka dalë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit konfirmoi se nga matjet e vazhdueshme rezulton se niveli i grimcave të pluhurit është i lartë në të gjithë kryeqytetin, madje dhe në zonat pranë liqenit artificial, dhe kjo i dedikohet kryesisht ndotjes nga trafiku i automjeteve.
“Tirana vazhdon të jetë e ndotur, nuk ka ndonjë përmirësim. Munt t’iu them se çdo kryqëzim në Tiranë është problematik. Ne kemi matur 4 kryqëzime kryesore dhe të gjitha janë problematike. Është bërë matja dhe në një pikë pranë liqenit dhe aty ka rezultuar se cilësia është thuajse e njëjtë”, shprehet Julian Beqiraj, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Ndotja e ajrit vihet re edhe në qytetet kryesore si Durrësi, Elbasani, Kruja, Fieri dhe Vlora, ku matjet tregojnë situatë të rënduar, në periudha të ndryshme kohore.
Ndotja e dytë për nga rëndësia është ajo nga zhurmat, ku nivelet e Oragnizatës Botërore të Shëndetësisë tejkalohen si natën dhe ditën në Tiranë, Fier, Vlorë, Sarandë dhe Korçë.
Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit lajmëroi se ka përmisim të situatës në ujrat e plazheve bregdetare, ku niveli i ndotjes është ulur në përqindje të konsiderueshme në Durrës, Kavajë, Sarandë, Shëngjin etj.
Top Channel