
Dy partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë marrë vendim që të bojkotojnë punën e Kuvendit për një kohë të pacaktuar, ndërsa Vetëvendosje ende nuk ka një qëndrim përfundimtar nëse do ta bojkotojë punën e legjislativit.
Pasditen e së enjtes, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj i ftoi të gjithë kolegët opozitarë, që të mos marrin më pjesë në seancat plenare deri në shpërndarjen e Parlamentit.
“Kjo dalje nënkupton rritjen e një kundërshtimi opozitar, kthim te qytetari, me qëllim që edhe mandatin t’ia kthejmë qytetarit, pra ta dërgojmë vendin në zgjedhje. Dalja është për një kohë të pacaktuar, është bojkot ndaj Parlamentit. Kjo, me idenë që vendi të dërgohet në zgjedhje të parakohshme”, është shprehur Ramush Haradinaj, gjatë ditës së enjte.
Krerët e AAK-së dhe NISMA-s kanë pasur të premten takim me udhëheqësinë e Vetëvendosjes për të unifikuar qëndrimin për bojkot të Kuvendit, por ky subjekt ende nuk ka qëndrim përfundimtar për këtë çështje.
“AAK ka qëndrimin e vet, NISMA po ashtu. Sigurisht që edhe brenda tri subjekteve opozitare ka qëndrime të ndryshme, për forma të ndryshme të protestës, për qëllimin tonë të përbashkët që kemi. Kështu që të gjitha këto diskutime, këto qëndrime do të hidhen në debat, derisa të arrijmë në vendimin e përbashkët, që do ta marrim si opozitë e bashkuar”, tha Adonis Tahiri, zëdhënës i Vetëvendosjes.
E ndërsa për bojkotin e Kuvendit ende nuk kanë qëndrim unik, partitë opozitare po punojnë bashkë për organizimin e protestës që kanë ftuar të mbahet më 26 mars, në Prishtinë.
Top Channel