Aleanca e shenjtë SHBA-Rusi për Lindjen e Mesme

10/03/2016 00:00

Manlio Graziano – Terrenet e marrëveshjes midis Uashingtonit dhe Moskës në rajonin e Lindjes së Mesme janë më të shumta se terrenet e mosmarrëveshjes. Edhe Papa Françesku mund të ndihmojë, me implikime të dukshme politike për Turqinë, Arabinë Saudite, Iranin si dhe për Izraelin.

Është e pamundur të thuhet nëse armëpushimi në Siri do të rezistojë, dhe sa gjatë. Por ajo që mund të thuhet, është se, për të mbërritur në një armëpushim, ishte e nevojshme që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të binin në ujdi.

Më shumë se një herë, nga këto kolona, kemi hipotizuar se, në atë rajon të shkatërruar nga pesë vjet lufte, terrenet e marrëveshjes midis Uashingtonit dhe Moskës ishin më të shumta se terrenet e mosmarrëveshjes. Me implikime të dukshme politike.

E para është margjinalizimi i Europës. Asgjë e re nën rrezet e diellit, mund të thuhej: nga fundi i Luftës së Dytë Botërore e këtej, sa herë që superfuqitë janë gjendur në një mendje, kanë qenë europianët ata që e kanë paguar. Megjithatë, në rastin e pranishëm, kakofonia në gjirin e Kontinentit të Vjetër ka ndihmuar në mënyrë jo të papërfillshme në margjinalizimin e tij: sa më shumë të njëzetetetët vazhdojnë të grinden si ndrikulla në lozhë mbi fatin e refugjatëve, aq më shumë të gjithë aktorët e tjerë i përdorin këta të fundit si armë shantazhi dhe izolimi.

Implikimi i dytë politik është se, në rast se të dy shpresojnë të nxjerrin një përfitim, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë të gatshme t’i njohin sferat përkatëse të influencës dhe t’i respektojnë. As kjo nuk është një e re. E kanë bërë për dyzetë e pesë vjet në Europë, pikërisht, dhe do të vazhdojnë ta bëjnë sapo të paraqitet mundësia.

Kurse implikimi i tretë është një risi. Apo më mirë, konfirmon një risi që ka dalë në terma mjaft të qartë në bisedimet për marrëveshjen e quajtur mbi “nuklearen” me Iranin: duket gjithnjë e më qartë që Uashingtoni dhe Moska janë në kërkim të një baraspeshe të re rajonale në Lindjen e Mesme. Shqetësimi i Turqisë dhe i Arabisë Saudite është reflektimi i ftohtësisë në rritje të Shteteve të Bashkuara ndaj tyre. Vendimi i Ankarasë për të rrëzuar një Sukhoi rus në fund të nëntorit ishte një përpjekje e tejdukshme për të vënë në cep lidershipin e Uashingtonit duke e shtrënguar të rreshtohej me aleatin turk kundër rivalit rus. Por lidershipi i Uashingtonit jo vetëm nuk e hëngri, por u rreshtua faktikisht me rivalin rus kundër aleatit turk. Jo vetëm, por Shtetet e Bashkuara dhe Rusia i përdorin kurdët sirianë si këmbësori, ndërsa turqit i bombardojnë si terroristë.

Sauditët, nga ana e tyre, janë hedhur në një aktivizim ushtarak të papërmbajtur, po aq sa të pazakontë. Përveç ekspeditës së përgjakshme dhe të pafrytshme në Jemen, dhe përveç “aleancës fantomatike islamike” kundër ISIS-it të nxjerrë në dhjetor, tani Riadi ka vendosur ta zhvendosë një pjesë të aviacionit të tij në bazën turke të Incirlikut dhe ta shoqërojë nga disa reparte të sajat speciale të tokës. Gjethja e fikut e luftës kundër terrorizmit duket tashmë e rënë, dhe ajo që mbetet është një konfederatë lakuriqe dhe e lirshme të pakënaqurish, të pushtuar nga ndjesia e prekshme se janë braktisur nga Uashingtoni. Një konfederatë së cilës mund t’i shtohej, në fund, edhe Izraeli.

Objektivi i Moskës, në këtë ndeshje, është të presë sërish për vete një hapësirë në Lindjen e Mesme, duke filluar nga vendi i vetëm – Siria, pikërisht – ku i kishin mbetur forca ushtarake. Që kur, në 1847-n, patriarkati i Moskës që pati ngulur në Jerusalem një mision të tijin, perandoria e carëve u përpoq të rrënjoste praninë e vet në rajon, në kuadrin e strategjisë së rrethimit të Turqisë. Në atë periudhë, u forcuan edhe marrëdhëniet me Persinë: themeluesi i dinastisë Pahlevi ishte brigadier i përgjithshëm i kozakëve persianë, dhe eprorët e tij ishin oficerë rusë. Pas parantezës së revolucionit, Moska bëri kthimin e madh në rajon duke sponsorizuar dhe duke armatosur lindjen e Izraelit, të dashur jashtëzakonisht fort nga Stalini (dhe nga Truman-i në funksion antibritanik).

“Lufta e ftohtë” në Lindjen e Mesme filloi vetëm pasi rusët dhe amerikanët dëbuan përfundimisht anglezët dhe francezët në 1956-n: vazhdoi sipas ligjeve të pasigurta të politikës ndërkombëtare, të përbëra nga krizë, luftëra, revolucione, tradhti, marifete, frikë dhe ndryshime aleancash, deri në shembjen e Bashkimit Sovjetik.

Sot, Moska po kthehet. Dhe Uashingtoni, nga ana e tij, ka nevojë për njëfarë lirie lëvizjeje që të mund të përmbushë strategjinë e retranchment-it të bërë të domosdoshëm nga rënia e tij relative. Në atë rrugë, Arabia Saudite, Turqia dhe, ndoshta, edhe Izraeli, përfaqësojnë sot pengesa më të mëdha për Rusinë. Dhe europianët janë një sasi gjithnjë e më e neglizhueshme.

Takimi midis Papës dhe patriarkut të Moskës muajin e shkuar është një copë e rëndësishme e riorganizimit të Lindjes së Mesme. Në periudhën e gjuetisë ndaj eshtrave të perandorisë otomane, katolikët dhe anglikanët – të parët të lidhur me Parisin dhe të dytët me Londrën – ishin fuqishëm kundër rolit të patriarkatit të Moskës në rajon. Sot, edhe ajo trashëgimi braktiset zyrtarisht. Kisha e Romës kërkon që prej më shumë se një gjysmë shekulli një breg në frontin e “vëllezërve të ndarë” të ortodoksisë; tani, fushata e mbrojtjes së “kristianëve të Lindjes” i ofron pretekstin konkret për një hap vendimtar në drejtim të Moskës. Në pritje që europianët t’i japin fund me kotësinë e tyre grindavece, papa jezuit ua hap ndërkohë edhe ai portat e Lindjes së Mesme rusëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA