
Federata Europiane e Futbollit, me 3 maj do të votojë kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës për anëtarësim me të drejta të plota në UEFA.
Kryetari i Federatës së Futobollit të Kosovës, Fadil Vokrri thotë se deri në këtë datë do të bëhen shumë përpjekje për lobim, duke u shprehur optimist në sigurimin e votave të mjaftueshme.
“Gjithnjë duhet pasur kujdes dhe duhet të jemi optimistë të matur. Mirëpo nuk shoh ndonjë arsye, ndonjë pengesë të madhe, sepse neve na duhet një mazhorancë e thjeshtë, do me thënë prej 54, 28 dhe shpresoj që jemi në gjendje t’I sigurojmë ato vota”, tha Fadil Vokrri, kryetar i FFK-së.
Në një intervistë për Top Channel, Vokrri sqaron se duke e futur në rend për votim, UEFA ka shmangur një nga nenet që e detyronte Kosovën të kishte një vend në OKB. Kjo i hap rrugën edhe antarësimit në FIFA, për të cilën aplikimi i Kosovës do të votohet më 12 dhe 13 maj në Meksikë.
“Për ne ka qenë UEFA puna më e vështirë për shkak të nenit të Kombeve të Bashkuara ku duhet të kemi ulëse dhe ajo është shmangur. Ndërsa në FIFA, edhe aty duhet të votohet, mirëpo është shumë më leht sepse nuk është ai nen I cili na e pamundëson integrimin dhe pranimin tonë”, tha Vokrri.
Sipas Vokrrit, përfaqësuesja e Kosovës me në krye Albert Bunjakun ka një bazë solide për sukseset e ardhshme. Nëse Kosova pranohet në UEFA dhe FIFA, do t’i mundësohet pjesmarrja për kualifikimet e botërorit 2018, ndërsa ndeshjen e parë do ta zhvillojë me Finlandën në muajin shtator.
Ndeshjen e parë zyrtare ndërkombëtare Kosova e zhvilloi në mars të vitit 2014 kundër Haitit, ku nuk ishte lejuar himni dhe simbolet shtetërore.
Top Channel