Bajerni i Mynihut nuk është në krizë. Kjo është ajo që ka deklaruar Robert Lewandowski në një intervistë për portalin “goal.com” pas ndeshjes që Bajerni humbi në “Allianz Arena” ndaj Mainzit, ndërkohë që këtë fundjavë skuadrën bavareze e pret sfida shumë e vështirë me rivalët e Borussia Dortmund, të cilët ai i vlerëson.
“Loja jonë ndaj Mainzit nuk ishte e mirë dhe tani jemi në krizë të thellë. Gjithçka e thënë së fundmi nuk ka të bëjë me realitetin. Te Bajerni gjithçka shkon mirë. Ndaj Borussias së Dortmundit duhet të bëjmë një paraqitje më të mirë dhe të fitojmë ndeshjen. Nuk do të jetë e lehtë, pasi Borussia po bën një sezon shumë të mirë dhe në stadiumin e saj atmosfera është gjithnjë e ndezur, por ne fituam herën e fundit që luajtëm në Dortmund. Mendoj se do të jetë një ndeshje fantastike dhe unë shpresoj që ne të marrim 3 pikët”, tha Lewandowski.
Lewandowski më pas bëri të qartë edhe njëherë objektivat e Bajernit për këtë sezon, me bavarezët që kërkojnë të fitojnë sërish titullin kampion të Gjermanisë: “Kemi ende një avantazh prej 5 pikësh me vendin e dytë dhe objektivi ynë i parë është të fitojmë Bundesligën për të katërtin vit radhazi. Kjo do të përbënte një rekord për ne. Përveç kësaj duam të kualifikohemi në çerekfinale të Ligës së Kampioneve dhe në finale të Kupës së Gjermanisë”.
Top Channel