Pas bllokimit të përkohshëm, qeveria deklaroi se do të shkurtojë ndjeshëm kohën dhe procedurat për lejet e ndërtimit.
“Minimizimi i kohës dhe kostos për marrjen e lejeve të zhvillimit të ndërtimit, që është thembra e Akilit, ne synojmë që koha të ulet deri në 45 ditë”, thotë Bashkim Sykja nga Ministria e Ekonomisë.
Por ndërtuesit ankohen se nuk janë vetëm lejet që e kanë vënë në vështirësi sektorin, por edhe rritja e taksave.
“Nga një taksë 4 përqind e çmimit të ndërtimit, sot është një taksë 8 përqind e çmimit të shitjes së tregut dhe e përllogaritur në mënyrë matematikore është 15 herë më shumë”, deklaroi Nikolin Jaka, kryetari Dhomës së Tregtisë.
Në takimin e parë me ministren e re të Ekonomisë, bizneset listuan një sërë shqetësimesh, mes të cilave edhe ngërçin e Gjykatës Administrative.
“Struktura e kësaj gjykate është shumë e vogël dhe ka nisur radha dhe ne duhet të presim një vit për të shqyrtuar një çështje në Gjykatën Administrative”, u shpreh Luan Bregasi, president i Biznes Albania.
Për këtë, ministrja Ekonomi tha se qeveria do të ngrejë Avokatin e Biznesit.
“Ai të bëhet si bartës i të gjithë ankesës dhe pastaj të drejtojë zgjidhjen e ankesës kur ajo është e zgjidhshme brenda legjislacionit, kur ajo nuk është e zgjidhshme përmes legjislacionit, të bëjë presionin për ndryshimin e legjislacionit”, sqaroi ministrja Ekonomi.
Qeveria ka ndërmarë një plan kombëtar për të përmirësuar renditjen e Shqipërisë në klimën e biznesit.
Top Channel