
Shqiptarët e Luginës së Preshevës u munduan t’i ndalin fizikisht librat të mos kthehen në Kosovë.
Ata protestuan për shkak të vendimit të autoriteteve serbe për të kthyer mbrapsht librat që për fëmijët e kësaj zone i kishte dërguar Ministria e Arsimit të Kosovës. Problem për këtë është përmbajtja e tyre që dallon me ato të Serbisë dhe vet fakti që në to shkruhet Republika e Kosovës.
“Prej 7 muajsh tekstet mësimore janë në terminalin e Preshevës. Problemi i teksteve mësimiore nga klasa e parë deri në klasën e tetë nuk është zgjidhur vetëm për një arsye: vetëm se tekstet mësimore janë në gjuhën shqipe”, thotë Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Kombëtar shqiptar.
Problemet me librat shqip në jug të Serbisë janë të vjetra pasi kurrë nuk është zgjidhur problemi i teksteve mësimore. Shqiptarët kërkojnë të drejta të barabarta me serbët e Kosovës.
“Kërkojmë urgjentisht nga Kosova që asnjë tekst mësimor i Serbisë të mos mësohet në Republikën e Kosovës. Kjo është kërkesa e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, është kërkesë e nxënësve, kërkesë e popullit shqiptar”, thotë Jonuz Musliu.
Problemi me librat është tentuar të zgjidhet edhe përmes Tiranës, por pa sukses. Nxënësit në shkolla kryesisht mësojnë pa libra.
Top Channel