Trafiku i drogës, mbetet në burg Ben Çami

29/02/2016 00:00

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi arrest me burg për Lutfi Shabanin i njohur ndryshe si Ben Çami. Ai është nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda se bashku me Eldi Zahirin dhe Janaq Kacelin, pasi shikohet si i përfshirë në trafikimin e 574 kg hashash.

Ngarkesa e drogës që dyshohet se kishte si destinacion Turqinë, u bllokua në një kamion në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Prokuroroia dyshon se Ben Cami, një personazh i njohur më herët në botën e narkotrafikut është pjese e një grupi të njohur që trafikon drogë.

Por edhe pse shpalli masën e arrestit me burg mbi dyshimet se ekzistojnë provat që Ben Cami është i implikuar në këtë trafik, gjykata e konsideroi arrestimin e tij në flagrancë si të paligjshëm. Gjykata dha arrest me burg edhe për Zahirin, i cili u kap në kamionin ku ndodhej droga si edhe bashkëpunëtorin e tyre, Kacelin. Lutfi Shabani i njohur si Ben Çami është dënuar vite më parë si një ndër organizatorët kryesore të trafikut të heroinës nga Turqia në Shqipëri e mandej vendet e BE.

Top Channel