
Kryebashkiaku i Pogradecit, Eduard Kapri është proceduar penalisht në gjendje të lirë këtë të hënë, pasi akuzohet se ka dhunuar një përmbarues. Ujësjellësi i qytetit vijon të mbetet në qendër të debateve të ashpra mes palëve dhe, pavarësisht se çështja është tashmë në dyert e gjykatave, konflikti vazhdon të shkaktojë përplasje.
Pas urdhrit të Gjykatës së Shkallës së Parë për pezullimin e vendimeve të kryebashkiakut Kapri, përmbaruesi Florian Beqaraj, 36 vjeç nga Tirana, mbërriti në Pogradec për të zbatuar vendimin, por gjatë detyrës pretendon se është dhunuar fizikisht nga kreu i bashkisë.
“Kemi hyrë qetësisht për t’i komunikuar një vendim, mbajtëm procesverbal. Pastaj aty erdhi edhe kryetari i bashkisë i shoqëruar me Policinë Bashkiake, dhe ushtruan dhunë ndaj meje personalisht, por edhe ndaj personave të tjerë të ardhur për të më mbështetur mua në zbatimin e vendimit”, thotë përmbaruesi Florian Beqaraj.
Por kryebashkiaku i Pogradecit mohon ta ketë dhunuar fizikisht përmbaruesin, madje shprehet se ai nuk i ishte identifikuar paraprakisht. Sipas Kaprit, ky është përmbaruesi i dytë, i cili shkon në Pogradec lidhur me urdhrin e gjykatës për Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve të këtij qyteti. E pavarësisht se gjykata ka urdhëruar pezullimin e vendimeve të marra prej tij, kryebashkiaku Kapri sqaron se, administrator i UKP-së vijon të jetë i emëruari i tij, Marsel Isallari.
“Në natyrën time, jo vetëm në këtë rast, një asnjë rast nuk do të ketë ushtrim dhune, siç mund të pretendojë personi në fjalë”, është kundërpërgjigjur kreu i Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri.
Prej disa javësh, Ujësjellësi i Pogradecit është përfshirë nga debate të ashpra mes palëve. Ndërkaq, policia bëri me dije se, pas kësaj ngjarjeje, ka nisur procedimin penal për kreun e bashkisë, Kapri, pas denoncimit për “pengim të ekzekutimit të vendimit të gjykatës” dhe “goditje për shkak të detyrës”.
Top Channel