Shkruani historinë…

28/02/2016 00:00

Nga Pandeli MAJKO – Në fund të çdo akti mbetet pak “esencë” me të cilën historia shkruan veten. Kriza politike në Prishtinë dhe zgjedhja e Presidentit kanë prekur shqetësimin për atë që ndodh në Kosovë. Konflikti politik i partive shqiptare solli në konkluzionin se serbët vërtetuan sërish se ishin të “pashmangshëm” nga vendimmarrja për të ardhmen e Kosovës.

Konkluzioni është cinik, por i vërtetë. Mbi ndarjet politike të ditës, serbët me inteligjencë treguan se kur shqiptarët sillen si “kapedanë”, ata dinë të jenë “ushtarë”.

Me dhimbje, shoh tek torturojmë veten në këtë ndarje që ka brenda dobësitë tona të vjetra të cilat na kanë bërë humbës në historinë tonë në marrëdhëniet me kombet konkurrente. Urrejtja e vetes sikur “armiku” të ishim NE do të na sjellë në të njëjtin konkluzion që kanë pasur paraardhësit tanë.

Në këtë varfëri politike ku demokracia duket si “rutinë” fjalësh pa veprim, fjalori i urrejtjes të jep identitet. Ballkani është ndërtuar nga shoqëri të dhunshme, ku e mira duket si dobësi dhe shpesh përgjithësuese e pa “ngjyrë”. Udhëkryqi ynë i vjetër dhe i ri është të mësohemi me veten duke kuptuar qëllimet dhe jo dëshirat.

Hashim Thaçi është një “Esat Pashë” sa Albin Kurti të mund jetë një “Enver Hoxhë”. Pesimizmi në këtë rast është një përgjigje e moralshme. Korrupsioni dhe antiamerikanizmi janë kriza e përfaqësimit të shqiptarëve, njëlloj vrastare, dhe që përbën tradhtinë karshi vetes dhe stabilitetit. Të dyja “variantet” rrezikojnë ta lënë vendin pa alternativë si parathënie e kaosit pasi po justifikojnë njëri-tjetrin.

Kosova është nën presionin e dy palëve që nuk po e lënë të marrë frymë. Njëra që s’e mban dot dhe tjetra që s’e merr dot. Kjo po e çon shoqërinë në kolaps dhe dhunë. E ardhmja e Kosovës dhe matematika e politikës janë në konflikt. Është kurthi i njohur i pasluftës që shoqërohet nga utopia. Ajo ngjan me alkiminë që donte të nxirrte ar nga plumbi. Shpresoj që gjakftohtësia dhe vendimet e matura të nxisin mirëkuptimin ndërmjet politikanëve që nuk kërkojnë kënaqësi nga zemërimi.

Tirana nuk ka çfarë jep si “leksion” ndaj Prishtinës veç gabimeve që ajo ka bërë me veten. Kjo nuk është pak. Në Shqipëri, fjalori i dhunës krijoi politikanë, por jo të ardhme.

Nëse Adem Jashari dhe Ibrahim Rugova, përfaqësuesit më elokuentë të së drejtës dhe të mundshmes, do të ishin gjallë sot, jam i sigurt se do të uleshin bashkë për të gjetur atë që i mungon aktualisht Prishtinës.

Në kohë krizash, perceptimet janë çelës. Pyetja se “Ç’do të bëni me Kosovën tani që e keni tuajën?” do një përgjigje të barabartë me “Bac u kry!”… Ajo duhet të përfaqësojë ndjeshmërinë politike të diktuar nga nevojat dhe jo idetë. Ju lutem merrni “penën” dhe shkruani historinë tuaj. Jo personalen, por të Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA