Vuçiç anulon vizitën në Veri të Kosovës

27/02/2016 14:30

Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka anuluar vizitën në pjesën veriore të Kosovës, pa dhënë ndonjë arsye.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme në Prishtinë kanë konfirmuar për Top Channel se kabineti i kryeministrit serb Vuçiç, që kishte kërkuar leje për të hyrë në Kosovë, ka njoftuar se vizita është anuluar, por nuk kanë dhënë ndonjë arsye.

Për vizitën e tij, ku do të qëndronte në pjesën veriore të Kosovës bashkë me zyrtarë të tjerë serbë, Vuçiç kishte kërkuar leje në Qeverinë e Kosovës, sipas marrëveshjes së Brukselit.

Ndërkohë, sipas mediave lokale zyrtarë policorë në veri të Kosovës kanë konfirmuar se planet përgatitore, të cilat kanë qenë në përfundim e sipër, janë ndërprerë pas njoftimit mbi anulimin e vizitës së kreut të ekzekutivit serb.

Vetë Vuçiç ka thënë për agjencinë “Tanjug” se nuk është i lumtur për zgjedhjen e Thaçit, por kjo është dëshirë e shumicës shqiptare. Ai ka mohuar që Thaçi të jetë marrë vesh me Beogradin apo serbët dhe që ata nuk kanë votuar për të.

Serbia ka ngritur disa herë akuza kundër Thaçit. Zgjedhja e tij si president i Kosovës shihet me dyshim dhe bëhet kujdes i veçantë lidhur me analizat që bëhen rreth këtij lajmi.

Televizioni B92, në një raport të zgjeruar, fillimisht Thaçin e quan president të “Kosovës e Metohisë”, një term që përdoret vetëm në komunikimet zyrtare, por jo edhe nga qytetarët.

Ndërsa e përditshmja “Kurir” është hapur me titullin “Serbët e Hashimit; kritikojnë ashpër serbët që morën pjesë ne seancë”, duke e quajtur këtë “sindroma e Stokholmit”.

Ndërkohë, politikanët serbë në tërësi nuk e kanë komentuar zgjedhjen e kryetarit të PDK-së, pasi duket sikurse do t’u bënin dëm serbëve të Kosovës, të cilët thonë se në kuti kanë futur fletëvotime të zbrazëta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA