Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka uruar Hashim Thaçin për zgjedhjen e tij si President i Republikës së Kosovës.
“Me rastin e votimit tuaj nga Kuvendi i Kosovës në detyrën e lartë të kreut të shtetit, kam kënaqësinë t’ju përcjell përgëzimet dhe urimet e mia dhe të Partisë Demokratike. Zgjedhja juaj si Presidenti i katërt i Republikës së Kosovës është kurorëzim i suksesshëm i historisë dhe kontributit tuaj politik për lirinë, pavarësinë dhe përparimin e Kosovës tonë të shtrenjtë”, shkruan Basha në letrën e tij.
Kreu i Partisë Demokratike shpreh bindjen e tij se “në lartësinë e besimit që Thaçi mori, do të kontribuojë në ecjen përpara të Kosovës në rrugën e integrimit euro-atlantik, konsolidimin e fuqizimin e shtetit demokratik të së drejtës si dhe forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”.
“Më lejoni që bashkë me konsideratën më të lartë t’ju uroj punë të mbarë dhe t’ju rikonfirmoj vullnetin tim dhe të Partise Demokratike për bashkëpunim të mëtejshëm me ju, institucionet e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e saj për realizimin e aspiratave të përbashkëta kombëtare”, mbyll urimin Lulzim Basha.
Top Channel